Në shtatë muajt e këtij viti 101 pacient kërkuan ndihmë psikiatrike për shkak të dhunës familjare, vitin e kaluar ishin 79

Po rritet numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë nga QKUK Klinika Universitare e Psikiatrisë për shkak të stresit të lidhur me dhunën familjare ose atë në partneritet. Psikiatër nga klinika kanë rishikuar në mënyrë retrospektive regjistrimet elektronike shëndetësore në sistemin „Moj Termin“ për periudhën nga janari 2025 deri në korrik 2026, për diagnozat F.43 (çrregullime të lidhura me stres), me qëllim identifikimin e rasteve të dhunës familjare ose në partneritet të lidhura me këtë diagnozë.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2025 janë regjistruar 79 persona që kanë pasur vështirësi të lidhura me përjetimin e dhunës familjare ose në partneritet, ndërsa vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2026 – 101. Kjo tregon se numri total prej 101 rasteve në shtatë muajt e parë të këtij viti tashmë e ka tejkaluar shifrën për tërë vitin 2025.
Këtë evidencë mjekësore e prezantoi prof. dr. Slavica Arsova në ligjëratën „Aspektet forenzike të dhunës familjare: epidemiologjia, pasojat në shëndetin mendor dhe roli terapeutik dhe forenzik i psikiatrit“, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Psikiatrinë Forenzike 2026 që mbahet këtë fundjavë në Ohër.
Numri më i madh i rasteve në vitin 2026 është regjistruar në mars – 27, prill – 23 dhe qershor – 21. Pikërisht kjo periudhë përkon me ngjarjen tragjike kur një nënë së bashku me fëmijën e saj u hodhën nga ballkoni në Shkup, si pasojë e dhunës së gjatë familjare.
Prof. dr. Arsova theksoi se shifrat nga Klinika duhet të interpretohen si të dhëna për rastet e regjistruara në dokumentacionin mjekësor dhe ato vetë nuk duhet të tregojnë domosdoshmërisht se dhuna në shoqëri është rritur. Ndryshimi mund të lidhet edhe me njohjen më të mirë, dokumentimin ose referimin e pacientëve ose me më shumë përpikmëri të institucioneve kur bëhet fjalë për rastet e lidhura me dhunën familjare.
Dokumentacioni mjekësor i analizuar tregon se vështirësitë psikologjike të lidhura me dhunën familjare ose atë intime-partneritet, në formën e një përgjigjeje akute ndaj stresit, çrregullimit post-traumatik ose vështirësive në adaptim janë regjistruar tek pacientë nga grupe të ndryshme moshe. Mosha mesatare në analizë është 40 vjeç. Janë regjistruar 19 pacientë nën 18 vjeç dhe 29 pacientë të moshës 60 vjeç ose më shumë. Sa i përket gjinisë, gratë janë përfaqësuar trefish më shumë.
Të dhënat nga Klinika e Psikiatrisë lidhen me pamjen më të gjerë në shtet. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, raportimet për dhunë familjare janë rritur nga 4.421 në vitin 2022 në 5.436 në vitin 2025, që është një rritje prej 23 për qind.
Në vitin 2025, në kategoritë e MPB-së më së shpeshti viktima janë regjistruar bashkëshortet – 1.438, prindërit – 1.000 dhe ish-partnerët martesorë – 708. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 1.195 vepra penale të lidhura me dhunën familjare, krahasuar me 1.117 në vitin 2022.
Në ligjëratë u theksua nevoja që profesionistët e shëndetit të bëjnë pyetje për sigurinë e pacientëve, duke siguruar një hapësirë të sigurt, të dokumentojnë në mënyrë sistematike llojin dhe kohëzgjatjen e dhunës dhe të ndjekin protokollet për përfshirjen e të gjitha institucioneve kompetente. Njohja e dhunës është e rëndësishme për mbështetje të përshtatshme psikiatrike, vlerësim të rrezikut dhe lidhjen e pacientëve me mbrojtjen e nevojshme.



