Kievi hodhi poshtë pretendimet ruse se kanë marrë qytetin lindor Dobropolia

Forcat ukrainase ende kontrollojnë qytetin lindor Dobropolia, njoftoi Kievi, duke hedhur poshtë pretendimet e Moskës se ushtria ruse ka marrë qytetin.
Ministria ruse e Mbrojtjes më herët sot njoftoi se forcat e saj kanë marrë kontrollin mbi edhe tetë vendbanime ukrainase, transmetoi agjencia e lajmeve Interfax.
Sidoqoftë, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Andrij Kovaliov, në një deklaratë me shkrim dërguar “Reuters” hodhi poshtë pretendimet ruse për marrjen e Dobropolias.
Qyteti ndodhet në jugperëndim të qendrave kyçe Kramatorsk dhe Sloviansk dhe prej kohësh është nën sulme të vazhdueshme ruse.
Pretendimet e të dyja palëve për kontrollin mbi qytetin ende nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.



