Trump shtyn sanksionet ndaj Rusisë, rritet hendeku mes Uashingtonit dhe Kievit

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të shtyjë zbatimin e pjesës së sanksioneve, kufizimeve dhe tarifave lidhur me Rusinë, vetëm disa ditë para se ato të hynin në fuqi bazuar në një ligj të nënshkruar muajin e kaluar. Vendimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuar mes Uashingtonit dhe Kievit dhe ka shkaktuar kritika nga ligjvënës amerikanë, ndërsa aleatët evropianë shprehin shqetësim për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës.
Vendimi është shpallur përmes një urdhri ekzekutiv të Shtëpisë së Bardhë dhe parashikon përjashtim të përkohshëm nga masat që do të rrisnin presionin ekonomik ndaj Moskës. Në urdhër, Trump thekson se ka njoftuar Kongresin se ky përjashtim në këtë moment është në interes kombëtar të SHBA-së, pa dhënë shpjegime të mëtejshme për arsyet.
Ky përjashtim do të mbetet në fuqi derisa administrata e Trump të vlerësojë se janë të nevojshme hapa shtesë.
Ligji parashikonte tarifa deri në 100 për qind për produktet nga pesë vendet më të mëdha importuese të naftës dhe gazit rus. Të ardhurat nga shitja e këtyre energjenteve janë një nga burimet për financimin e fushatës ushtarake ruse në Ukrainë.
Kritika nga ligjvënësit amerikanë
Masat janë pjesë e ashtuquajturit ligj Graham, emëruar sipas senatorit amerikan Lindsey Graham, i cili mbështeste një politikë më të ashpër ndaj Rusisë.
Vendimi i Trump shkaktoi reagime të ashpra në Kongres. Senatorja demokrate Elizabeth Warren e vlerësoi atë si një dështim të udhëheqjes amerikane dhe e akuzoi presidentin se po minon qëllimin e Kongresit për të rritur presionin ndaj Kremlinit.
"Me heqjen e këtyre sanksioneve, Trump sfidon udhëzimet e Kongresit për të forcuar presionin ndaj Kremlinit dhe i jep mundësi Vladimir Putin të vazhdojë agresionin", deklaroi Warren.
Deputeti Don Bayer vlerësoi se ky veprim është në kundërshtim me qëllimin e ligjit, i cili duhej të ndëshkonte Rusinë për luftën në Ukrainë. Senatori Richard Blumenthal, një nga autorët e ligjit, tha se përjashtimet nuk lidhen me sigurinë kombëtare, por me qëndrimin e Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Në anën tjetër, kreu i fondit shtetëror rus të investimeve, Kirill Dmitriev, përshëndeti vendimin, duke e vlerësuar si një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik mes Rusisë dhe SHBA-së.
Raporte të tensionuara mes Trump dhe Zelenski
Shtyrja e sanksioneve është zhvillimi më i fundit në periudhën e mosmarrëveshjeve të shtuar mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski. Në Uashington dhe kryeqytetet evropiane rritet shqetësimi se ndryshimet në politikën amerikane mund të dobësojnë më tej mbështetjen për Ukrainën në luftën që zgjat më shumë se katër vjet.
Shtëpia e Bardhë ka ushtruar presion të fortë mbi Kievin për të ndalur sulmet ndaj impianteve ruse të naftës, në përpjekje për të ulur çmimet e naftës para zgjedhjeve për Kongresin amerikan. Ukraina fillimisht ra dakord, por më pas vazhdoi sulmet. Ndërkohë, Rusia gjatë javës ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Trump javën e kaluar shkaktoi reagime te liderët evropianë me një marrëveshje që lejon eksportin e naftës dizel ruse. Zelenski deklaroi se ndihet i tradhtuar nga ky veprim, i cili u kritikua si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët në SHBA.
Presidenti amerikan lidh çmimet e larta të karburanteve me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa në të njëjtën kohë përballet me pakënaqësi nga një pjesë e zgjedhësve amerikanë për shkak të luftës në Iran.
Papërgjegjësi rreth bashkëpunimit të inteligjencës dhe Starlink
Shqetësim shtesë shkaktojnë informacionet për ndërprerjen e shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës mes SHBA-së dhe Ukrainës, si dhe kufizimet në versionin ushtarak të shërbimit satelitor të internetit Starlink, në pronësi të Elon Musk.
Zelenski deklaroi se qeveria ukrainase nuk ka marrë paralajmërim në kohë nga partnerët para sulmit balistik rus ndaj një centrale të madhe në Kiev dhe një ndërtese banimi. Trump, nga ana e tij, mohoi se SHBA-ja ka ndërprerë shkëmbimin e informacionit të inteligjencës me Ukrainën.
Kufizimet në Starlink, sipas autoriteteve ukrainase, kanë dëmtuar operacionet me dronë dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm, si dhe kanë ndikuar në komunikimet, logjistikën dhe zbulimin e ushtrisë ukrainase. Zelenski të premten deklaroi se shërbimi është përmirësuar, por ende nuk është rikthyer plotësisht.
Në një intervistë për "Newsmax", Trump tha se është më e vështirë të bashkëpunosh me Zelenskin sesa me Putinin.
Ndërkohë, CNN amerikan raportoi se Ukraina ka mbetur pa raketa për sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore "Patriot". Këto raketa janë ndër mjetet e rralla që mund të kapin raketa balistike, në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Evropa paralajmëron sanksione të reja ndaj Moskës
Ndryshe nga administrata amerikane, liderët evropianë paralajmërojnë ashpërsim të mëtejshëm të masave ndaj Rusisë nëse Putin nuk ndalon luftën.
Në samitin në Belgjikë të premten, Zelenski lavdëroi liderët evropianë, duke i quajtur "liderë të vërtetë", çka u interpretua si një kritikë indirekte ndaj Trumpit.
Liderët e Bashkimit Evropian njoftuan përgatitjen e paketës së 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Nga Brukseli u tha se presioni ndaj Moskës do të vazhdojë të rritet nëse nuk ndodh ndalimi i luftës.
Dallimet mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë rreth sanksioneve, mbështetjes ushtarake dhe qëndrimit ndaj Moskës e komplikojnë më tej koordinimin ndërkombëtar në mbështetjen e Ukrainës.



