Trump paditi BBC-në për 10 miliardë dollarë, tani shtyn seancën

British Broadcasting Corporation (BBC) i kërkoi gjykatës që ta detyrojë presidentin amerikan Donald Trump të japë dëshmi në procesin gjyqësor për shpifje që ai vetë e nisi kundër shtëpisë mediatike, duke kërkuar dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh (8.6 miliardë euro). Avokatët e Trump fillimisht ranë dakord që dëshmia të merret më 16 tetor, por më pas kërkuan shtyrje deri në janar, raporton "Euronews".
Në dokumentin e dorëzuar në gjykatë, përfaqësuesit ligjorë të BBC-së theksojnë se, megjithëse procesi i mbledhjes së provave ka zgjatur pothuajse tetë muaj dhe janë marrë në pyetje shtatë dëshmitarë, ata ende nuk kanë marrë dëshmi nga personi kyç.
"Pas pothuajse tetë muajsh mbledhje provash, shtatë dëshmitarë të marrë në pyetje nga BBC, dhe duke pasur parasysh se kanë mbetur vetëm dy muaj deri në përfundimin e procedurës, BBC ende nuk ka arritur të marrë në pyetje pjesëmarrësin kryesor në këtë rast – vetë paditësin – dhe asnjë datë nuk është caktuar për këtë", thuhet në dokument.
Si rezultat, ekipi ligjor i shtëpisë mediatike britanike kërkoi nga gjykata federale e Floridës që t'i urdhërojë Trumpit të caktojë një datë, dhe që çështja të shqyrtohet në seancën e 22 tetorit. Zëdhënësi i ekipit ligjor të Trump nuk shpjegoi arsyet e shtyrjes, por përsëriti akuzat kundër BBC-së. Ai deklaroi se presidenti dëshiron të mbajë përgjegjëse shtëpinë mediatike për "shpifje dhe ndërhyrje të pamatur në zgjedhje, ashtu siç ka mbajtur përgjegjëse edhe mediat e tjera të mëdha që përhapin 'lajme të rreme'".
Trump paraqiti padinë në dhjetor 2025 lidhur me dokumentarin "Trump: Shansi i Dytë". Në të, ai akuzon shërbimin publik britanik për shpifje, si dhe për praktika mashtruese dhe jofair në biznes. Në padinë, që përmban 33 faqe, thuhet se BBC e ka paraqitur presidentin në një mënyrë "të rreme, shpifëse, mashtruese, denigruese dhe keqdashëse", ndërsa vetë filmi përshkruhet si "një përpjekje guximtare për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në 2024 dhe për të ndikuar në rezultatin e tyre".
BBC pranoi se në filmin ishin redaktuar pjesë nga fjalimi i Trump më 6 janar 2021, duke krijuar përshtypjen se ai nxitte dhunë në Kapitol. Organizata kërkoi falje, dhe dy drejtues dhanë dorëheqje, megjithëse akuzat për shpifje u hodhën poshtë.
Sulmet e Trump ndaj mediave – që përfshijnë padi për dëmshpërblime të mëdha, kufizim të aksesit dhe fyerje ndaj gazetarëve – ishin të shpeshta gjatë administratës së tij. Për shembull, në prill, një gjykatës federal hodhi poshtë padinë e tij për shpifje kundër gazetës "Wall Street Journal", në të cilën ai gjithashtu kërkonte dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh.


