(Video) Adoleshent vret mësues dhe tre fëmijë në shkollë në SHBA; i vrarë nga një kalimtar i rastësishëm

Tre fëmijë – në moshë pesë, tetë dhe 11 vjeç – dhe një mësues humbën jetën në një të shtënë në një shkollë fillore në qytetin Bend, Oregon, ndërsa sulmuesi 16-vjeçar u vra në vend nga një kalimtar i rastësishëm, njoftoi policia.
Një kalimtar i rastësishëm hyri në shkollë dhe vrau sulmuesin
Sulmuesi hyri me forcë në shkollën fillore "Silver Rail", tha shefi i policisë në Bend, Mike Krantz. Bëhet fjalë për një banor lokal 16-vjeçar; deri tani nuk dihet nëse ai kishte ndonjë lidhje me shkollën. Në sulm u plagosën rëndë një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar. Të dy u dërguan në spital në gjendje kritike, transmeton BBC.
Policia mori njoftime për të shtënat në orën 12:59 sipas kohës lokale. Thirrja fillestare ishte për një burrë që po qëllonte me armë zjarri drejt një automjeti. Disa minuta më vonë, erdhën informacione se sulmuesi kishte hyrë në shkollë.
Sipas policisë, një kalimtar i rastësishëm ndoqi sulmuesin në shkollë dhe e vrau. Oficerët e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes tre minuta më vonë, konfirmuan se sulmuesi ishte i vdekur dhe kontrolluan ndërtesën e shkollës. Policia ende nuk ka publikuar identitetet as të sulmuesit, as të viktimave.
"Jemi tronditur dhe thyer nga kjo tragjedi pa kuptim. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që po kalon komuniteti ynë", tha Steven Cook, drejtuesi i rrethit shkollor lokal.
Mësimi në shkollat e Bend u ndërpre të premten; në shkollën fillore "Silver Rail" janë regjistruar rreth 450 nxënës, dhe punësohen më shumë se 40 persona.
Vitin e kaluar në shkollat amerikane u regjistruan 235 incidente me të shtënat, ndërsa këtë vit, deri tani, kanë ndodhur të paktën 140 incidente të tilla.


