(Video) Maduro dhe bashkëshortja e tij përballen me 50 vjet burg: u deklaruan të pafajshëm për akuzat në SHBA për torturë

I shkarkuari president venezuelan Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, dje para gjykatës në New York deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzën e re, e cila i ngarkon për komplot për kryerjen e torturës ndaj kundërshtarëve politikë, transmeton Reuters.
Akuzat e reja, të paraqitura të enjten e kaluar, zgjerojnë ndjeshëm çështjen penale kundër Maduro-s 63-vjeçar dhe bashkëshortes së tij 70-vjeçare. Ata më parë kishin deklaruar se nuk janë fajtorë për akuzat për keqpërdorim të pozicioneve të tyre për të ndihmuar trafikantët e drogës në transportin e kokainës.
Maduro dhe Flores – të cilët u kapën nga ushtria amerikane në janar, gjatë një operacioni të urdhëruar nga presidenti Donald Trump – u paraqitën para gjyqtarit federal amerikan Alvin Hellerstein në gjykatën federale të Manhattanit. Ata u sollën në seancë të veshur me uniforma të burgut ngjyrë bezhë, me pranga në këmbë.
Maduro: E refuzoj plotësisht akuzën
Kur gjyqtari i kërkoi të deklarohej për fajësi, Maduro pretendoi se pretendimet ishin tashmë paraqitur më parë dhe se janë të rreme. “Kam shqyrtuar të gjithë përmbajtjen, gjyqtar Hellerstein,” tha Maduro, duke iu referuar aktakuzës. “E refuzoj plotësisht këtë dokument,” shtoi ai
Gjyqtari ndërpreu dhe urdhëroi që në procesverbal të përfshihet deklarata se ai nuk ndjehet fajtor. Bashkëshortja e tij, Cilia Flores, gjithashtu i hodhi poshtë akuzat. “Unë jam plotësisht e pafajshme. Nuk jam fajtore,” deklaroi ajo. Maduro dhe Flores nuk akuzohen se kanë kryer personalisht torturë ndaj kundërshtarëve politikë, por se kanë marrë pjesë në një komplot për kryerjen e një torture të tillë.
Nëse shpallen fajtorë për të gjitha pikat, secilit prej tyre i kanoset një dënim minimal i detyrueshëm prej 50 vjetësh burg. Për shkak të akuzave të reja, gjyqtari Hellerstein shtyu fillimin e gjyqit për dy javë. Tani parashikohet që gjyqi të fillojë më 14 qershor 2027.
Prokurorët pretendojnë se Maduro urdhëroi torturimin e kundërshtarëve.
Prokurorët amerikanë në Manhattan pretendojnë se Maduro u ka dhënë urdhër funksionarëve venezuelanë të kryejnë torturë ndaj politikanëve opozitarë dhe ushtarakëve, për të cilët dyshohej se planifikonin rrëzimin e tij nga pushteti. Sipas aktakuzës, qëllimi i tij ishte të mbante pushtetin në Venezuelë. Një nga incidentet e përshkruara në aktakuzë tregon se, në vitin 2014, Maduro urdhëroi rrëmbimin e ushtarakëve për të nxjerrë informacione për kundërshtarët potencialë të regjimit.
Prokurorët pretendojnë se ai u dha udhëzime funksionarëve "të ushtrojnë presion më të madh" ndaj atyre që rezistonin. Në aktakuzë më tej thuhet se, gjatë një takimi, Flores u pajtua me këtë plan dhe refuzoi propozimin alternativ për mbledhjen e informacionit përmes infiltrimit në radhët e opozitës.


