E shtunë, 17 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Video) Të paktën 10 të vdekur në zjarr në kompleks turistik në Bangladeshi – nuk kishte leje për punë

17.10.2026, 12:39

Të paktën 10 persona kanë vdekur, ndërsa më shumë janë plagosur në një zjarr që shpërtheu këtë mëngjes në një kompleks turistik prej druri në qytetin Ukhia, afër qendrës turistike Cox's Bazar, në juglindje të Bangladeshit, njoftoi shërbimi i zjarrfikësve.

Zjarri shpërtheu rreth orës 7:30 të mëngjesit me kohë lokale në një ndërtesë trekatëshe në kompleksin "Tup Tup". Në katin përdhes ndodhej një restorant, ndërsa në katin e parë dhe të dytë kishte dhoma për turistë, raportoi "Dhaka Post".

Facebook · klikoni për të ngarkuar postimin

Zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes, i cili ndodhet rreth 22 kilometra nga stacioni më i afërt i zjarrfikësve, dhe arritën ta shuajnë zjarrin. Më pas filluan nxjerrjen e trupave të të vdekurve.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Mbrojtjes Civile të Bangladeshit, Sultanul Afrin Junaid, deklaroi se kompleksi turistik nuk kishte lejet e nevojshme për punë, as licencën nga shërbimi i zjarrfikësve.

Sipas tij, pas një inspektimi në qershor, autoritetet dhanë një paralajmërim dhe e konsideruan ndërtesën si të rrezikshme. Megjithatë, kompleksi vazhdoi të punojë.

Shkaku i zjarrit nuk është i njohur për momentin. Junaid njoftoi se ai do të përcaktohet pas një hetimi të detajuar.

Ai shtoi se shërbimi i zjarrfikësve do të shqyrtojë masa shtesë për parandalimin e aksidenteve të ngjashme, veçanërisht në zonat turistike ku ndërtesat janë ndërtuar prej druri dhe materialeve të tjera të lehta për t’u djegur.

Junaid paralajmëroi gjithashtu se me sezonin e thatë që po vjen mund të rritet rreziku i zjarreve të tilla, duke bërë thirrje pronarëve të ndërtesave që të respektojnë rregullat e sigurisë.

Lajme të ngjashme