(Video) Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ndaj sektorit energjetik ukrainas, thotë Zelenski

Rusia ka sulmuar më shumë se 15 objekte kyçe për prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike në pjesë të ndryshme të Ukrainës, në një nga sulmet më të mëdha ndaj sektorit energjetik që nga fillimi i luftës, njoftoi presidenti ukrainas Volodymir Zelenski. Në sulme janë përdorur më shumë se 320 dronë "Shahed", raketa kroçiere dhe balistike, si dhe pajisje fluturuese pa pilot me motorë me djegie të brendshme dhe me motorë gjasme me avull.
Sipas Zelenskit, situata më e rëndë është në Lutsk, Rivne, Zhytomyr, Vinnytsia, Shepetivka, Slavuta dhe Netishyn. Janë goditur edhe objekte energjetike në rajonet e Kharkiv, Kiev dhe Dnipropetrovsk, si dhe në rajone të tjera.
Presidenti ukrainas tha se sulmet janë kryer në periudhën nga ora 19:00 dje deri në orën 7:00 të mëngjesit sot. Edhe pse mbrojtja ajrore ukrainase rrëzon një numër të konsiderueshëm raketash dhe dronësh, intensiteti dhe karakteri i vazhdueshëm i sulmeve shkaktojnë pasoja serioze në sistemin energjetik.
"Rusët e kanë forcuar operacionin kundër sektorit tonë energjetik dhe po përpiqen maksimalisht të shterrojnë rezervat tona dhe kapacitetet për riparim", shkroi Zelenski në rrjetin social X.
Ai njoftoi se rikthimi i furnizimit me energji elektrike është në proces, dhe në punë janë përfshirë të gjitha shërbimet kompetente dhe burimet e disponueshme të kompanive energjetike ukrainase. Zelenski falënderoi punonjësit dhe ekipet që, siç tha, punojnë pothuajse pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike.
Presidenti ukrainas njëkohësisht bëri thirrje për mbështetje më të madhe nga aleatët perëndimorë, duke theksuar se partnerët evropianë tashmë kanë përgatitur paketa të reja ndihme për Ukrainën.
Ai kritikoi edhe vendimin e administratës amerikane për të mos aktivizuar Ligjin "Lindzi Grehem", për të cilin tha se mund të kishte siguruar presion më efektiv ndaj Rusisë për të përfunduar luftën.
Zelenski vlerësoi se Moska po përpiqet të shkaktojë një ndërprerje të plotë të furnizimit me energji elektrike menjëherë para dimrit, duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike dhe ngrohje. Sipas tij, lehtësimi i presionit sanksionues ndaj Rusisë vetëm e inkurajon presidentin rus Vladimir Putin të vazhdojë sulmet.
"Nevojitet presion për të ndaluar sulmet. Duhet të vazhdojmë përpjekjet për të përfunduar luftën, jo t'i japim Putinit arsye për ta vazhduar atë pafundësisht", u shpreh Zelenski.



