(Video) Përplasje në protestat në Francë: policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj, dhjetëra demonstrues janë arrestuar

Policia franceze përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj për të shpërndarë demonstruesit në Paris, Marseille dhe Lyon, ku qytetarët dolën në rrugë për protesta kundër rritjes së kostove të jetesës. Demonstruesit organizuan marshime të papritura dhe u përpoqën të bllokonin trafikun me barrikada të improvizuara.
Sipas prefekturës së policisë së Parisit, deri në orën 9:30 në kryeqytet janë arrestuar 40 persona, kryesisht gjatë kontrolleve ku u gjetën tek ata sende të ndaluara për t’u mbajtur në protesta, përfshirë pajisje mbrojtëse dhe armë. Ndër sendet e konfiskuara, sipas policisë, kishte thikë dhe një shirit policor i rremë për krahun.
Në pjesën perëndimore të Parisit, rreth njëqind demonstrues bllokuan zyrat e rrjetit televiziv të djathtë CNews dhe rrjetit radiofonik Europe 1. Policia njoftoi se ka arrestuar 21 persona. Sipas raporteve, persona me maska bllokuan hyrjen e parkingut, hodhën sende dhe thyen disa dritare. Të dy rrjetet mediatike janë në pronësi të biznesmenit Vincent Bolloré.
Në Marseille, demonstruesit bllokuan përkohësisht bulevardin Prado me kontejnerë mbeturinash dhe skuterë, pas së cilës policia e ndërhyrjes përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Disa nga pjesëmarrësit thanë se protestojnë për shkak të fondeve të pamjaftueshme për arsimin dhe dhunën policore.
Gaz lotsjellës u përdor edhe në Lyon, ku dhjetëra të rinj u mblodhën në protestë, ndërsa mediat lokale publikuan video ku shihet arrestimi i demonstruesve të dyshuar se po përpiqeshin të bllokonin rrugët. Në Rennes, në perëndim të Francës, demonstruesit u përpoqën të pengonin trafikun me barrikada të ndezura, njoftoi policia rajonale.
Protestat bashkojnë studentët, sindikatat dhe pjesë të lëvizjes "Jelekët e Verdhë", e cila në vitin 2018 nisi me demonstrata kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër pabarazisë ekonomike.
Organizatorët kanë paralajmëruar më shumë se 600 tubime në të gjithë Francën. Autoritetet presin një pjesëmarrje të madhe, ndërsa vlerësimet policore të publikuara nga agjencia AFP tregojnë se në protesta mund të marrin pjesë rreth 200,000 njerëz, prej të cilëve 40,000 në Paris.
Në kryeqytet janë të ndaluara demonstratat në zonat rreth Pallatit Presidencial Elysee, zyrës së kryeministrit dhe bulevardit Champs-Élysées. Gjithashtu është ndaluar marshimi i planifikuar në qendër të Parisit, pasi bisedimet midis policisë dhe organizatorëve për një rrugë alternative nuk dhanë rezultat.
Presidenti francez Emmanuel Macron më parë bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se e drejta për protestë duhet të shoqërohet me respekt për njerëzit dhe pronën. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez deklaroi se policia mund të përdorë granata shokuese në rastet e "dhunës urbane jashtëzakonisht serioze". Përdorimi i tyre ishte pezulluar më parë gjatë protestave studentore, pasi shpërthimi i një granate të hedhur nga policia i shkaktoi një djaloshi 15-vjeçar humbjen e dorës.



