Merç: Mbështes sulmet ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse

Kancelari gjerman Friedrich Merç sot mbështeti Ukrainën lidhur me sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, duke thënë se është „e drejtë, e kuptueshme dhe e justifikuar“ që forcat ukrainase të kryejnë sulme që do të pengojnë aftësinë e Rusisë për të bërë luftë.
Merç, në një konferencë për shtyp pas përfundimit të samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, deklaroi se nuk sheh „asnjë gatishmëri nga ana ruse për të vënë fund luftës“ dhe për këtë arsye mbështet sulmet ukrainase që dëmtojnë komunikimet dhe furnizimin me energji të Rusisë, raportoi „Sky News“.
Kancelari gjerman vlerësoi se këto janë „qartë mundësitë e vetme që ka Ukraina për t’i bërë të ditur Rusisë se është e gatshme të mbrohet“ dhe për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve.
Merç gjithashtu tha se do të ketë mundësi të diskutojë personalisht për këtë me presidentin amerikan Donald Trump në dhjetor.
Trump vazhdimisht i bën thirrje Ukrainës të ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës për të ulur presionin mbi çmimet e naftës dizel.
Merç deklaroi se ende nuk dihet se si BE-ja do të kompensojë mungesën e fondeve për Ukrainën dhe se Komisioni Evropian (KE) „aktualisht po vlerëson“ nevojat financiare të Kievit para deficitit të pritshëm buxhetor vitin e ardhshëm.
„Liderët e BE-së e dinë se Ukraina nuk mund të kënaqet me huanë paraprake të miratuar nga Bashkimi në vlerë prej 90 miliardë eurosh“, tha Merç.
Sipas tij, sa fonde shtesë do të nevojiten do të bëhet e qartë në javët e ardhshme, dhe vendimi ndoshta do të duhet të merret muajin tjetër ose në dhjetor.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski sot gjatë fjalimit të tij në Bruksel deklaroi se Ukraina do të ketë nevojë për 70 miliardë euro mbështetje shtesë financiare dhe ushtarake nga aleatët evropianë në vitin 2027.
Ai tha se paratë do të përdoren për të nisur dronë kundër avancimeve të Rusisë në terren, zinxhirëve të saj të furnizimit dhe ekonomisë ushtarake, raportoi „Euronews“.
Foto: EPA


