Zelenski për sulmet ndaj rafinerive ruse: Kjo është një histori e mbyllur

Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, në një intervistë për "Financial Times".
"Kufizimi për sulmet ndaj rafinerive nuk vlen më. Kjo është një histori e mbyllur", tha Zelenski.
Ai kritikoi gatishmërinë e Uashingtonit për të lidhur marrëveshje biznesi me Moskën, si dhe admirimin e dukshëm të presidentit amerikan Donald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin, raportoi "Financial Times".
Të shtunën, Trump bëri thirrje që Ukraina ta zëvendësojë Zelenskin dhe kritikoi ashpër sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës naftërore ruse. Ai e bëri këtë një ditë pasi njoftoi një marrëveshje me Rusinë për furnizim me naftë dizel, me qëllim lehtësimin e presionit mbi çmimet e karburantit – të cilat u rritën pasi në shkurt filloi lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Ukraina kishte ndaluar sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dhe infrastrukturës tjetër energjetike për dy ditë, pas njoftimit të Trump për një marrëveshje "armëpushimi energjetik", tha Zelenski më herët këtë javë.
Megjithë pushimin në sulmet ukrainase, Zelenski për "Financial Times" tha se forcat ukrainase kishin mungesë të sistemeve amerikane të paralajmërimit të hershëm për raketat balistike në ardhje.
Në të njëjtën kohë, shërbimi i komunikimit satelitor "Starlink", në pronësi të Elon Musk, u ngadalësua në të gjithë vendin, duke penguar operacionet në fushën e betejës dhe sulmet me rreze të mesme ndaj objektivave ushtarake ruse.
"Përfaqësuesit ushtarakë ukrainas morën paralajmërim nga kolegët e tyre amerikanë se, nëse nuk ndalonin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, do të përjashtoheshin nga qasja në të dhënat e inteligjencës", tha Zelenski.
Ai shtoi se më vonë Kievit i ishte thënë se problemi ishte teknik. Ai hodhi poshtë mundësinë që vështirësitë me sistemin satelitor "Starlink" të ishin rezultat i një defekti teknik.
"Nuk ishte çështje teknike, por e vullnetit", deklaroi Zelenski për "Financial Times".
Kur u pyet nëse Ukraina do të pranonte të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë, Zelenski u përgjigj se do të mund të pajtohej vetëm në këmbim të raketave interceptuese amerikane shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore "Patriot". Ai përshkroi këtë furnizim si "minimumin" që do të ishte i pranueshëm për Ukrainën.



