Ministri kroat për Vuçiqin: Shko kurohu!

Ministri i detit, transportit dhe infrastrukturës i Kroacisë, Oleg Butkoviç, iu përgjigj akuzave të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kroacia ndërhyn brutalisht në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Butkoviç në "Facebook" ndau një shkrim nga një media lidhur me notën protestuese serbe të dërguar në Kroaci dhe shtoi një mesazh të shkurtër për Vuçiqin.
"Shko kurohu!" – shkroi Butkoviç.
Reagimi i Butkoviç erdhi pas akuzës së Vuçiqit se Kroacia ndërhyn në zgjedhjet parlamentare të ardhshme në Serbi, të caktuara për 25 tetor, shkruan Indeks.hr.
"Asnjë vend nuk ka ndërhyrë kurrë në zgjedhjet e një shteti tjetër aq shumë dhe aq brutalisht sa Kroacia në zgjedhjet tona. Kurrë", deklaroi Vuçiq për rrjetin televiziv B92.
Ai shtoi se ishte një veprim i mirë që Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë dërgoi një notë proteste në Kroaci, duke theksuar se një hap i tillë duhej marrë më herët.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë dje dërgoi një notë proteste në Kroaci, duke përmendur ndërhyrjen e supozuar në punët e brendshme politike të Serbisë dhe në fushatën e saj zgjedhore. Sipas Radio-televizionit të Serbisë, Beogradi konsideron se përpjekjet për ndikim të jashtëm në zgjedhje janë të papranueshme, ashtu si edhe mënyra se si disa media kroate raportojnë për situatën politike në Serbi.
Autoritetet serbe janë veçanërisht të pakënaqura me mënyrën se si mediat kroate raportojnë për Aleksandar Vuçiqin. Megjithatë, ato nuk kanë paraqitur prova konkrete që shteti kroat ndërhyn në procesin zgjedhor serb. Nota protestuese erdhi vetëm 11 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku Vuçiqi, si kryetar i listës "Serbia e Bashkuar", përpiqet të rikthehet në pushtet, shkruan Indeks.hr.
Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq akuzon Kroacinë dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç për përpjekje për të ndikuar në ngjarjet politike në Serbi.
Më fillim të tetorit, gjatë një mitingu parazgjedhor në Sremka Mitrovicë, ai pretendoi se Plenkoviç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish-presidenti malazez Milo Gjukanoviç duan ndryshimin e pushtetit në Beograd.
Atëherë ai deklaroi se do t’i mundë të gjithë, duke akuzuar kundërshtarët e tij se e urrejnë Serbinë dhe duan ta copëtojnë atë.



