E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministri irlandez: Ulja e fondeve nga BE-ja për ndihmë zhvillimore hap hapësirë për Rusinë dhe Kinën

09.10.2026, 12:05

Ulja e fondeve nga BE-ja për ndihmë zhvillimore do të krijojë një vakum që do ta plotësojnë Rusia dhe Kina dhe do të çojë në migrim më të madh drejt Evropës, deklaroi ministri irlandez për zhvillim ndërkombëtar Neil Richmond.

"Nëse e ulni buxhetin e një vendi për zhvillim, kjo do t'i detyrojë njerëzit të zhvendosen. Nëse njerëzit nuk kanë akses në sisteme shëndetësore cilësore, nëse infrastruktura rreth tyre po shembet, ata do të zhvendosen", tha Richmond për "Politico" në Bruksel, para takimit të sotëm të ministrave për zhvillim të BE-së në Dublin.

Kjo është takimi i parë i ministrave për zhvillim të BE-së pas pothuajse dy vjetësh, që sipas Richmond, pasqyron faktin se ndihma humanitare ka humbur rëndësinë e saj në agjendën globale.

"Globalisht, kemi parë një rënie të bashkëpunimit zhvillimor mbi 23 për qind vitin e kaluar, jo vetëm për shkak të uljes së fondeve amerikane, por edhe të shumë vendeve anëtare të BE-së", tha Richmond, duke shtuar se Irlanda dhe Spanja janë dy vendet e vetme që kanë rritur buxhetet e tyre për zhvillim.

Programi "Europa Globale", fondi kryesor i BE-së për ndihmë financiare vendeve jashtë bllokut, është ndër fushat për të cilat mund të ulet financimi në propozimin e Irlandës për kornizën negociuese të buxhetit shumëvjeçar të BE-së.

Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet shumëvjeçar për periudhën 2028-2034 prej rreth dy trilionë euro, që disa anëtarë e kanë kritikuar si tepër të madh, duke kërkuar ulje të konsiderueshme. Disa vende kanë propozuar ulje të fondeve për ndihmë zhvillimore për të kursyer para për fusha të tjera, si mbrojtja, bujqësia dhe politika e kohezionit.

Irlanda, që aktualisht kryeson BE-në, pritet të paraqesë kornizën e saj negociuese për buxhetin nesër, sipas "Politico".

Një diplomat nga një vend që merr fonde nga BE-ja, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, i krahasoi uljet me uljet drastike të fondeve për USAID nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se kjo do t'u hapë dyert Moskës dhe Pekinit.

Richmond theksoi se sigurimi i ndihmës është në interes gjeostrategjik të Evropës.

"Sa më shumë të tërhiqen SHBA-të, aq më shumë tërhiqet edhe BE-ja, dhe atë hapësirë më së shumti e plotëson Rusia", tha ai, duke përmendur operacionet për forcimin e ndikimit të Kremlinit në Afrikë, si dhe përpjekjet e Kinës, Turqisë dhe aktorëve të tjerë për të forcuar praninë e tyre.

Lajme të ngjashme