Ministri francez i Brendshëm ofron dorëheqje pas trazirave masive, Macron refuzon

Presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi ofertën për dorëheqje të ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez, pas trazirave që u përhapën gjatë fundjavës, njoftuan nga Pallati Elize. Demonstruesit shprehin pakënaqësi për shkak të rritjes së kostove të jetesës, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe gjendjes në sistemin arsimor.
Macron deklaroi se Nuñez duhet të qëndrojë në detyrë për të ruajtur zinxhirin komandues në polici dhe forcat e sigurisë. Gjithashtu, ai i kërkoi Nuñez të hartojë sa më shpejt qasje të reja për parandalimin e grabitjeve, shtojnë nga Pallati Elize.
Shkelja më e rëndë e rendit publik në historinë moderne franceze
Protestat në të gjithë vendin të shtunën u shndërruan në trazira. Të dielën ndodhën përplasje të reja në Paris dhe Marsejë, ku policia për shpërndarjen e trazirave pengoi përpjekjet për grabitje të objekteve tregtare. Kryeministri francez Sébastien Lecornu sot mban një mbledhje urgjente të qeverisë për të vlerësuar pasojat e dhunës dhe grabitjeve që kapluan vendin gjatë fundjavës, transmeton BBC.
Në disa aspekte, kjo përbën shkeljen më të rëndë të rendit publik në historinë moderne franceze. Vlerësohet se rreth 1,500 dyqane dhe objekte tregtare janë grabitur ose shkatërruar. Policia për shpërndarjen e trazirave përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër turmës.
Ministria franceze e Brendshme njoftoi se të shtunën u lënduan rreth 1,000 policë, prej të cilëve shtatë më rëndë. Macron të dielën iu drejtua publikut, duke deklaruar se protestat do të ndalohen nëse është e nevojshme, dhe bëri thirrje për paqe dhe rend. Ai theksoi se pjesëmarrësit në trazira do të ndëshkohen dhe do të përgjigjen për veprimet e tyre.



