Një gliser me migrantë u përplas me rojen bregdetare greke; mes të vdekurve edhe një foshnje

Gjashtë persona, përfshirë një foshnjë, humbën jetën herët në mëngjes pranë ishullit Lesbos, pasi një gliser me migrantë nga Turqia u përplas me një anije të rojës bregdetare greke dhe u përmbys. Qeveria greke konfirmoi rezultatin tragjik dhe njoftoi një politikë të tolerancës zero ndaj trafikantëve të njerëzve, transmeton Reuters.
Aksidenti detar ndodhi rreth 3.5 milje detare nga bregu i Lesbosit. Rojat bregdetare njoftuan se ekipet shpëtuese nxorrën nga deti trupat e katër burrave, një gruaje dhe një fëmije. Tetë persona mbijetuan dhe u dërguan në spital. Mes të mbijetuarve është edhe një shtetas turk 37-vjeçar, i cili është arrestuar. Autoritetet dyshojnë se ai drejtonte gliserin dhe organizonte transportin.
Hetim dhe reagim zyrtar
Ministri grek për çështjet detare, Vasilis Kikilias, fajësoi trafikantët e njerëzve për aksidentin. Sipas informacioneve fillestare, duket se pjesa e përparme e gliserit goditi anën e majtë të anijes së rojës bregdetare; rrethanat e sakta ende po verifikohen. Në rrjetin social "X", Kikilias deklaroi: "Qëndrimi ynë është i qartë – tolerancë zero për trafikantët".
Greqia prej vitesh është një nga pikat kryesore hyrëse në Bashkimin Evropian për migrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. Vendi u gjend në qendër të krizës evropiane të migrantëve në vitet 2015 dhe 2016. Në atë periudhë, në ishujt grekë mbërritën pothuajse një milion njerëz, kryesisht nga Turqia.



