E hënë, 19 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

U vendos ora policore në pjesë të Parisit pas protestave të dhunshme

19.10.2026, 20:00

Autoritetet franceze kanë vendosur orë policore për të gjithë qytetarët në disa pjesë të Parisit, në Sheshin e Republikës dhe në rrugët përreth lagjes Les Halles, në arrondismanin e parë të Parisit, e cila do të jetë në fuqi nga mbrëmja deri në orën gjashtë të mëngjesit, raporton televizioni BFM.

Kjo masë nuk vlen vetëm për të miturit, por për të gjithë qytetarët, dhe u vendos pas trazirave që shpërthyen gjatë fundjavës në margjinat e protestave të mbajtura në të gjithë Francën.

Kryetari i Parisit, Emmanuel Grégoire, më parë sot vlerësoi se në Francë do të vazhdojë dhuna, plaçkitjet dhe djegia e ndërtesave publike derisa qeveria të ofrojë një përgjigje politike ndaj krizës.

Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur para Këshillit Bashkiak, ai deklaroi se është e nevojshme të hartohet një plan dhe të bisedohet me nxënësit dhe studentët që në javët e fundit protestojnë në të gjithë vendin, duke kërkuar investime më të mëdha në sistemin arsimor, transmeton "Figaro".

"Duhet të punojmë në një platformë më të qartë me kërkesa për të krijuar kushtet për daljen nga kriza. I bëj thirrje kryeministrit Sébastien Lecornu që të marrë këtë çështje dhe të fillojë negociatat me organizatat e nxënësve, studentëve dhe punëtorëve", tha kryetari i bashkisë.

Valë protestash masive në Francë filloi rreth mesit të shtatorit si një grevë lokale dhe kryengritje e nxënësve dhe mësuesve në një shkollë të mesme në një periferi më të varfër të Parisit. Arsye për pakënaqësinë ishin kushtet e këqija në arsim, mungesa kronike e mësuesve, klasat e mbushura dhe ndërtesat shkollore të braktisura.

Protestat u përhapën në shkollat e mesme dhe fakultetet në të gjithë vendin, dhe u shoqëruan me bllokime masive dhe përplasje me policinë.

Protestave iu bashkuan sindikatat, prindërit dhe aktivistët e lëvizjes së dikurshme "Jelekët e Verdhë". Në kërkesat fillestare për reforma në arsim iu shtuan edhe protesta masive në rrugë kundër kostove të larta të jetesës, rritjes së çmimeve të karburanteve dhe masave qeveritare për kursim.

Lajme të ngjashme