E diel, 18 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Protesta të dhunshme në Itali kundër kostove të larta të jetesës, policë dhe demonstrues të lënduar

18.10.2026, 15:04

Protestat paqësore kundër kostove të larta të jetesës në Itali u kthyen në përplasje të dhunshme, ngjashëm si në Francën fqinje, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Protesta më e madhe u mbajt në Milano, ku të rinj të maskuar veshur me të zeza, në sheshin qendror Duomo, hodhën mjete piroteknike ndaj policisë dhe ngritën barrikada. Policia në fillim u detyrua të tërhiqej dhe të priste forca shtesë, njoftoi ANSA.

Përplasje midis demonstruesve dhe policisë shpërthyen edhe në qytete të tjera italiane, përfshirë Torino, Bolonjë dhe Bergamo. Demonstruesit hodhën gurë dhe mjete piroteknike ndaj forcave policore.

Vetëm në Milano u lënduan të paktën katër policë dhe 20 demonstrues. Në lidhje me trazirat u arrestuan më shumë se 50 persona, prej të cilëve gjysma ishin të mitur.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi dhunën. Trazirat i dënoi edhe kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, i cili megjithatë shprehu mirëkuptim për pakënaqësinë e qytetarëve.

"Arsyeja e protestës ishte e kuptueshme. Por dhuna ndaj policisë dhe dëmi i madh i shkaktuar qytetit nuk mund të justifikohen", tha Sala.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, personat me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Itali janë veçanërisht të prekur nga inflacioni dhe çmimet e larta të benzinës dhe naftës. Një problem shtesë në qytetet e mëdha italiane është edhe kriza serioze e strehimit.

Lajme të ngjashme