Papa Luan XIV u shfaq në publik pas operacionit për kancer në mushkëri: „Kjo përvojë më afroi me të gjithë ata që vuajnë“

Papa Luan XIV për herë të parë iu drejtua publikut pas operacionit për kancer në mushkëri, duke thënë se përvoja me sëmundjen e ka afruar me të gjithë njerëzit që vuajnë.
Papa 71-vjeçar udhëhoqi lutjen e së dielës "Engjëlli i Zotit" nga ballkoni i Pallatit Apostolik, nga i njëjti vend nga ku një javë më parë njoftoi se duhet të operohej. Në sheshin "Shën Pjetri" u mblodhën mijëra besimtarë për ta përshëndetur, raportoi CNN.
Papa falënderoi mjekët për kujdesin, si dhe të gjithë ata që kanë lutur për shëndetin e tij. Ai shtoi se po kthehet gradualisht në detyrat e tij papnore.
Shfaqja e tij në publik përkon me mbajtjen e maratonës romake, ku mijëra vrapues kaluan në rrugën kryesore drejt sheshit "Shën Pjetri". Megjithatë, në mesditë të saktë, vëmendja e të pranishmëve u përqendrua në dritaren e Pallatit Apostolik, nga ku Luan XIV iu drejtua të pranishmëve me një zë të fortë dhe të qartë.
Papa dje u lirua nga spitali "Gemelli", pas operacionit në mushkëri ku i u hoq një masë. Më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për adenokarcinomë, forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive.
Udhëtimi i planifikuar në Amerikën e Jugut mbetet ende në plan
Mjekët njoftuan se papa po rikuperohet mirë dhe mendojnë se mund të udhëtojë në Amerikën e Jugut, ku duhet të qëndrojë nga 6 deri më 17 nëntor.
"Do të thoja se nuk ka arsye klinike që ky udhëtim të mos mbahet", deklaroi për "Vatican News" profesori Stefano Margaritora, kirurgu që e operoi papën.
Vizita duhet të përfshijë Uruguajin, Argjentinën dhe Perunë. Luan XIV ka shërbyer për vite si misionar dhe ipeshkëv në Peru.
Plani i udhëtimit përfshin edhe qëndrim në Cusco, qytet që ndodhet në rreth 3,350 metra mbi nivelin e detit. Në atë lartësi, sasia e oksigjenit që thithet është afërsisht një e treta më pak se në nivelin e detit.


