Parlamenti Evropian javën e ardhshme do të diskutojë për sulmet hibride ruse, Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar

Parlamenti Evropian javën e ardhshme në Strasburg do të mbajë seancën e dytë plenare të tetorit, ku eurodeputetët, ndër të tjera, do të diskutojnë për sulmet hibride ruse, mbështetjen për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.
Eurodeputetët pasnesër do të diskutojnë për sulmet dhe ndërhyrjet ruse me dronë në territorin e Bashkimit Evropian, veçanërisht mbi anijet në Detin e Zi. Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Dy ditë më vonë, eurodeputetët do të votojnë për një rezolutë mbi këtë temë. Kallas pasnesër do të diskutojë me eurodeputetët edhe për përshkallëzimin e sulmeve të hutëve jemenas dhe pasojat e tyre mbi sigurinë rajonale.
Do të zgjidhet fituesi i çmimit „Sakharov“ për lirinë e mendimit
Në rend dite për pasnesër është edhe një debat për mbështetjen e drejtësisë ndërkombëtare, si dhe për përgjigjen ndaj sanksioneve amerikane kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Të njëjtën ditë do të diskutohet edhe për marrëdhëniet e BE-së me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë. Samiti midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar është caktuar për 20 nëntor, ndërsa samiti me Kanadanë pritet të mbahet më 29 dhe 30 nëntor.
Të mërkurën, eurodeputetët do të diskutojnë me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, për rezultatet e samitit të liderëve të BE-së të javës së kaluar.
Nesër, Komiteti për Punë të Jashtme dhe Komiteti për Zhvillim do të zgjedhin tre nga gjashtë kandidatët e nominuar për çmimin e këtij viti „Sakharov“ për lirinë e mendimit. Të enjten, drejtuesit e Parlamentit Evropian do të zgjedhin fituesin mes tre finalistëve.
Fon der Lajen do të prezantojë programin e punës së Komisionit Evropian për vitin 2027
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, pasnesër në Strasburg pritet të prezantojë programin e punës së Komisionit për vitin 2027, i cili përmban iniciativat kryesore që organi ekzekutiv i BE-së planifikon të zbatojë.
Ndër prioritetet e pritura janë masat për rritjen e konkurrencës, përfshirë një paketë të re bankare dhe reduktimin e burokracisë, si dhe rregullore emergjente për migracionin dhe përmirësimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit.
Programi pritet të përfshijë edhe një protokoll për sigurinë emergjente për mbrojtje nga sulmet hibride dhe të tjera, plane për rritjen e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike, përdorimin e sigurt të inteligjencës artificiale dhe ide për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, ministrat e vendeve anëtare të BE-së përgjegjës për punën dhe politikën sociale do të takohen nesër në Luksemburg. Në takim, ndër të tjera, do të diskutojnë për banimin e përballueshëm dhe për projektligjin për vende pune cilësore.



