Banka gabimisht i pagoi mbi 120.000 euro, i ktheu dhe mori karamele gome si shpërblim

Një student 25-vjeçar nga Gjeorgjia, i cili studion në qytetin austriak Salzburg, ka përjetuar një situatë të pazakontë pasi një bankë i pagoi gabimisht më shumë se 120.000 euro. Studenti ia ktheu shumën e tepërt, por në vend të një shpërblimi monetar, nga banka mori një paketë karamele gome.
Studenti në fakt donte të tërhiqte 12.900 euro, të cilat më parë i kishte huazuar nga një mik për të dëshmuar se kishte fonde të mjaftueshme për të marrë leje qëndrimi në Austri.
Pasi i tërhoqi paratë nga një degë e bankës "Sparkasse Salzburg", ia dorëzoi mikut dhe shkoi në stërvitje, pa vënë re se kishte marrë një shumë shumë më të madhe se ajo që kishte kërkuar.
Vetëm pas stërvitjes mori një telefonatë nga banka, ku e njoftuan se gjatë pagesës kishte ndodhur një gabim. Ai menjëherë kontaktoi mikun, dhe së bashku numëruan paratë në makinë.
Miku i tij për shërbimin publik austriak ORF deklaroi se ishte i befasuar, por edhe i shqetësuar nga shuma e madhe, pasi ishte i vetëdijshëm se mund të kishin probleme serioze nëse do të vendosnin t’i mbajnë paratë.
Të dy u kthyen në bankë dhe ia kthyen të gjithë shumën e tepërt.
Nga "Sparkasse Salzburg" konfirmuan se bëhej fjalë për një gabim njerëzor, i kërkuan falje studentit dhe i falënderuan për bashkëpunimin.
Sidoqoftë, për kthimin e më shumë se 100.000 eurove, studenti nuk mori shpërblim monetar, por një paketë karamele gome me logon e bankës.



