E hënë, 19 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gjorgjievski: Pamje e re, kushte më të mira dhe kujdes më i madh – ZOO Shkupi po ndryshon

19.10.2026, 19:06

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski theksoi se me përkushtim të fortë dhe veprime konkrete po modernizohet Kopshti Zoologjik i Shkupit.

– Shkupi meriton një Kopsht Zoologjik për të cilin do të krenohet, dhe kafshët meritojnë kushte cilësore, kujdes profesional dhe trajtim dinjitoz. Gjatë periudhës së kaluar kemi punuar intensivisht në rinovimin e habitatëve ekzistues dhe ndërtimin e habitatëve të rinj. Janë zëvendësuar çatitë, janë vendosur gardhe të reja te luanët dhe gardhe mbrojtëse shtesë. Është ndërtuar një park motorik për më të vegjlit, dhe po rinovohet edhe plataja para Kopshtit Zoologjik. Përpjekjet tona janë të përqendruara edhe në pasurimin e botës së kafshëve me lloje të reja, me habitatë dhe kushte të përshtatura sipas nevojave të tyre. Çdo hap duhet të udhëhiqet nga kujdesi për kafshët dhe nga përgjegjësia që kemi ndaj tyre. Ashtu siç premtuam, po punojmë që ZOO Shkupi të bëhet një qendër udhëheqëse për edukim, mbrojtje të natyrës dhe trajtim human të kafshëve. Po krijojmë kushte më të mira për kafshët, vizitorët dhe punonjësit, me përmbajtje të reja që do ta bëjnë çdo vizitë më të pasur, më të bukur dhe më mësuese – deklaroi Gjorgjievski.

Kryetari Gjorgjievski shprehu falënderim për të gjithë ekipin, punonjësit dhe drejtuesit e Kopshtit Zoologjik për përpjekjen, përkushtimin dhe dashurinë ndaj kafshëve.

– Kujdesi juaj i përditshëm është baza mbi të cilën po ndërtojmë këtë histori të re. Këtë muaj ZOO Shkupi shënon një shekull ekzistence. Ky jubile i madh po përjetohet me punë dhe me vendosmëri të fortë që rinovimi të vazhdojë. Së bashku, po ndërtojmë të ardhmen e ZOO Shkupit, me qëllim që të jetë një nga kopshtet zoologjike më të mira në këto hapësira – tha Gjorgjievski.

Lajme të ngjashme