Magjar e akuzoi Orbanin se ka folur për kryengritje të armatosur dhe ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues

Udhëheqësi i partisë opozitare Fides, Viktor Orban, me të qeshura ka folur për një kryengritje të armatosur dhe ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues, akuzoi sot kryeministri hungarez Peter Magjar, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda kundër shtetit.
Magjar në një postim në rrjetin social X theksoi se Kodi Penal hungarez parashikon dënim me burg nga pesë deri në 20 vjet për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues, ndërsa për veprime të caktuara të drejtuara ndaj një ndryshimi të tillë parashikohet edhe dënim me burgim të përjetshëm.
Sipas Magjar, dënim me burg nga një deri në pesë vjet parashikohet edhe për përgatitjen e ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues.
Si provë për pretendimet e tij, Magjar publikoi një video të Orbanit, ku politikani hungarez përgjigjet në një pyetje gazetareske për "rezistencën kombëtare" që më parë e kishte përfaqësuar. Biseda u zhvillua gjatë një tubimi të Rrathëve Digjitalë të Qytetarëve në Lakitelek, në juglindje të Hungarisë.
"Vendi ynë ende nuk është në pozicion për ta bërë këtë. Ne jemi tashmë të përgatitur. Ne tashmë do të mund të ndanim mjetet përkatëse, duke përcaktuar se kush çfarë do të marrë. Diçka më të butë ose diçka më të ashpër. Por, kjo nuk është çështja", tha Orban në regjistrim.
Magjar e interpreton deklaratën si fjalë për kryengritje të armatosur dhe ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues, duke e lidhur atë me dispozitat e legjislacionit penal hungarez.



