(Foto) Tetë shoferë kapen nën ndikimin e alkoolit në Shkup, katër të arrestuar

Tetë shoferë që drejtonin mjete motorike nën ndikimin e alkoolit u zbuluan gjatë një kontrolli të shtuar të trafikut që gjatë natës midis 17 dhe 18 tetorit e zhvilloi Njësia Mobile për Sigurinë e Trafikut në Rrugë pranë Sektorit për Punë të Trafikut në Shkup.
Kontrolli u zhvillua në periudhën nga ora 21 deri në 3 të mëngjesit, në zonat e komunave Ilinden, Gazi Baba dhe Kisela Voda, me theks të veçantë në zbulimin dhe ndëshkimin e shoferëve që drejtojnë nën ndikimin e alkoolit.
Nga tetë shoferët, tre u arrestuan për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik", e paraparë në nenin 297-a të Kodit Penal. Tek ta u konstatua prania e alkoolit mbi 1.50 promilë.
Një person tjetër u arrestua për të njëjtën vepër penale, sepse drejtonte mjet motorik pa leje drejtimi.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se kundër të gjithë kryerësve do të ngrihen padi përkatëse për shkelje dhe penale.
MPB-ja paralajmëron se kontrollet e shtuar aksionale do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të pjesëmarrësve.
Ministria bën apel tek shoferët që të respektojnë me përpikëri rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe të mos drejtojnë mjete motorike nën ndikimin e alkoolit.



