Tre shtetas turq të dyshuar për tentativë vrasjeje në Shkup

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër tre personave, shtetas të Republikës së Turqisë, të cilët si bashkëkryerës kanë marrë pjesë në veprime të veprës penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 19 (në tentativë) të Kodit Penal.
Njeri prej tyre me veprime ndihmëse, i ka çuar dy të tjerët, u ka treguar vendndodhjen e saktë dhe kodin e hyrjes së një ndërtese në rrugën “Praga”, ku qëndronin dy shtetas të tjerë turq.
Të dyshuarit kanë hyrë në apartament dhe me disa thika kanë tentuar me qëllim të privojnë nga jeta një nga të dëmtuarit. Tjetri ka tentuar t’i largojë, por edhe ai është plagosur në dorë.
Më pas të tre të dyshuarit kanë tentuar menjëherë të largohen nga shteti përmes pikës kufitare Blace. Dy prej tyre janë ndaluar dhe arrestuar dhe për ta është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Njëri nga të dyshuarit, pra ndihmësit, sipas informacioneve nga autoritetet kufitare, ka arritur të ikë në Kosovë dhe për të prokurori kompetent ka propozuar paraburgim nga gjetja dhe privim nga liria, me qëllim që për të të shpallet urdhër arrest ndërkombëtar.



