Gashi në takim me përfaqësues të Fondacionit „Konrad Adenauer“, konfirmohet angazhimi për thellimin e bashkëpunimit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot zhvilloi një takim me përfaqësues të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), ku ishin të pranishëm Florian Fajerabend – drejtues për bashkëpunim ndërkombëtar; Daniel Braun, përfaqësues zyrtar i KAS dhe Davor Pasoski – drejtor programi i KAS në Shkup. Ky takim ishte një takim lamtumire për z. Braun, i cili pas 6 vitesh si drejtor programi, po kalon në një pozicion tjetër në KAS.
Kryetari Gashi i uroi KAS-it 150-vjetorin dhe shprehu falënderim për angazhimin personal, përkushtimin dhe kontributin e Braun në zhvillimin e partneritetit me Kuvendin, duke theksuar se, edhe pse ky është takimi i fundit në kuadër të mandatit të tij aktual, ai do të jetë i mirëpritur në Kuvend edhe në të ardhmen.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin e suksesshëm deri tani, i cili bazohet në angazhimet e përbashkëta për demokraci, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane. U theksua veçanërisht roli i Fondacionit në mbështetjen e proceseve demokratike, dialogut parlamentar dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, si dhe rëndësia e përvojave gjermane dhe evropiane për përmirësimin e kulturës demokratike dhe afrimin me standardet evropiane.
Biseduesit diskutuan për integrimin evropian dhe proceset reformuese, forcimin e demokracisë parlamentare, transparencën dhe dialogun politik konstruktiv. Gashi konfirmoi gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Fondacionin përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit politik, tryezave të rrumbullakëta, debateve dhe shkëmbimit të praktikave të mira. Ai shprehu bindjen se partneriteti i ndërtuar deri tani do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pavarësisht ndryshimeve në përbërjen personale të Fondacionit, në interes të zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian të shtetit.
Kryetari Gashi i dëshiroi sukses Braun në angazhimet e tij profesionale në të ardhmen, duke shprehur pritshmërinë që ai të mbetet mbështetës i Maqedonisë së Veriut dhe aspiratave të saj evropiane.



