Princi William shkroi histori me pjesëmarrjen në një emision të njohur britanik

Princi britanik William u bë anëtari i parë i familjes mbretërore që mori pjesë në emisionin e njohur të bisedave të Graham Norton. Gjatë bisedës zbuloi detaje nga jeta private, tregoi çfarë duan të shohin fëmijët e tij dhe me çfarë ëndërronte të merrej kur ishte i ri.
William zbuloi se familja e tij ndjek rregullisht shfaqjen e BBC-së "The Celebrity Traitors", dhe adhuruesit më të mëdhenj janë princesha Charlotte dhe princi Louis.
"E adhuroj emisionin, e gjithë familja e ndjek. Charlotte dhe Louis janë plotësisht të fiksuar pas tij. Është me të vërtetë i shkëlqyer", deklaroi princi.
Në pyetjen se çfarë do të punonte nëse nuk do të ishte trashëgimtar i fronit, William zbuloi se si fëmijë dëshironte të bëhej polic, ndërsa më vonë kishte menduar edhe për një karrierë si DJ.
"Kur isha më i ri, doja të bëhesha polic. Mendoja se do të isha i mirë në atë. Më vonë pata një periudhë kur doja të bëhesha DJ, por nuk më shkonte shumë mirë", rrëfeu ai.
Princi zbuloi gjithashtu se në kohën e lirë i pëlqen të dëgjojë muzikë dhe të shikojë filma, veçanërisht ato të regjisorit Christopher Nolan. Nga të preferuarit e tij është trilogjia "The Dark Knight".
Pjesëmarrja e tij vjen disa ditë pas intervistës së vëllait të tij, princit Harry, për revistën "GQ", në të cilën Harry përsëri shprehu dëshirën për pajtim me familjen. Sipas njoftimeve, William nuk komentoi deklaratat e vëllait të tij.
Pjesëmarrja është pjesë e përgatitjeve për ndarjen e çmimeve mjedisore "Earthshot Prize", themeluar me iniciativën e William. Ceremonia është caktuar për më 17 nëntor në Mumbai, Indi, dhe pritet transmetim në 240 vende në më shumë se 40 gjuhë.



