E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Koreja e Veriut lëshoi rreth dhjetë raketa balistike: tensionet në kufi po rriten

Koreja e Veriut sot lëshoi rreth dhjetë raketa balistike drejt detit, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ky lëshim vjen vetëm disa ditë pasi Phenjani kërcënoi se do të rifillojë transmetimet propagandistike përmes altoparlantëve përgjatë kufirit dhe do të vendosë armë të reja në zonën që ndan dy vendet, transmeton AP.

Raketat u lëshuan disa ditë pasi udhëheqësi verikorean Kim Jong Un, gjatë fundjavës, bëri një vizitë të papritur në Kinë – aleatin kryesor dhe partnerin ekonomik të Koresë së Veriut – me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Shtabi i Përgjithshëm i Bashkuar i Koresë së Jugut njoftoi se është regjistruar lëshimi i rreth dhjetë raketave balistike me rreze të shkurtër nga Wonsan, një qytet në bregun lindor të Koresë së Veriut. Ushtria jugkoreane ka forcuar mbikëqyrjen dhe ndan informacion për lëshimet me SHBA-në dhe Japoninë.

Tensionet pas shpërthimeve të minave në kufi
Marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut u përkeqësuan më tej pas shpërthimeve të minave muajin e kaluar, ku u plagosën tre ushtarë jugkoreanë. Seuli akuzoi Korenë e Veriut për vendosjen e minave në jug të Linjës Ushtarake të Demarkacionit, që çoi në shpërthimet më 21 shtator. Phenjani mohoi përgjegjësinë dhe kërcënoi me hakmarrje nëse provokohet.

Javën e kaluar, Koreja e Veriut njoftoi se do të rifillojë transmetimet propagandistike përmes altoparlantëve dhe do të vendosë sisteme të reja armatimi përgjatë kufirit. Si arsye, sipas tyre, përmendën të shtënat e shpeshta paralajmëruese nga ushtarët jugkoreanë në zonat kufitare.

Korea e Jugut më pas propozoi bisedime për përcaktimin më të saktë të kufirit me qëllim parandalimin e përplasjeve aksidentale, por Koreja e Veriut nuk iu përgjigj këtij propozimi.

Lëshimi i sotëm është më i fundit në një seri testimesh të armëve nga Koreja e Veriut të kryera gjatë javëve të fundit. Mes tyre ishin edhe testime të raketave kryqëzuese të lëshuara nga nëndetëset, si dhe raketa hipersonike.

Analistët mendojnë se përmes këtyre testimeve, Koreja e Veriut ndoshta përpiqet të ushtrojë presion mbi SHBA-në për të arritur koncesione më të mëdha – veçanërisht pas dëshirës së shprehur të presidentit amerikan Donald Trump për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike me Kim Jong Un.

Lajme të ngjashme