Koncepti Maqedonas: Festimi i pushtimit serb të Maqedonisë është një fyerje për popullin maqedonas

Koncepti Maqedonas shpreh kundërshtim të ashpër ndaj festimeve të Zebrnjakut, me të cilat, siç thonë, lavdërohet fitorja ushtarake serbe e vitit 1912, pas së cilës pasoi vendosja e pushtetit okupues serb mbi Maqedoninë e Vardarit dhe terrori i ashpër serb ndaj maqedonasve etnikë dhe popujve të tjerë joserbë në Maqedoni.
"Për popullin maqedonas, këto ngjarje historike nuk përbëjnë çlirim kombëtar, por fillimin e një periudhe të re të pushtetit të huaj, shtypjes kombëtare dhe mohimit të veçantisë maqedonase – etnocid. Është e papranueshme që në territorin e Maqedonisë të festohen ngjarje historike që për maqedonasit etnikë përbëjnë simbol të okupimit dhe poshtërimit kombëtar. Këto manifestime, veçanërisht kur kanë karakter të lavdërimit shovinist të pushtimeve të kaluara, mund të shkaktojnë tensione ndër-etnike, të dëmtojnë besimin ndërfqinjësor dhe të ringjallin ndarjet historike në rajon", thonë nga Koncepti Maqedonas.
Koncepti Maqedonas konsideron se respektimi i kujtesës historike serbe nuk duhet të kthehet në mohimin e përvojës historike maqedonase. Ata thonë se pushtimet historike nuk duhet të jenë shkak për demonstrime nacionaliste bashkëkohore në territorin e Maqedonisë.
"I bëjmë thirrje institucioneve kompetente maqedonase që të sigurojnë respektimin e dinjitetit të popullit maqedonas dhe të reagojnë ndaj çdo nxitjeje publike të urrejtjes etnike ose lavdërimit të nënshtrimit kombëtar. Veçanërisht presim nga ministri i kulturës Sedat Sulejmani që të marrë masa të përshtatshme për ndalimin e këtyre ngjarjeve në të ardhmen. Koncepti Maqedonas angazhohet për marrëdhënie miqësore dhe të barabarta me Republikën e Serbisë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, ndjeshmëri historike dhe respektimin e identitetit kombëtar maqedonas. Miqësia ndërmjet popujve ndërtohet me respekt të ndërsjellë, jo me festimin e humbjeve dhe vuajtjeve historike të fqinjëve. Maqedonia duhet të jetë një shtet ku dinjiteti historik i popullit maqedonas do të respektohet dhe mbrohet", thonë nga Koncepti Maqedonas.
(pr)



