Vajza e Michael Jackson kërkon 600 milionë dollarë nga pasuria e të atit të saj

Paris Jackson i kërkoi gjykatës që t'u urdhërojë ekzekutorëve të pasurisë së të ndjerit të saj, Michael Jackson, të transferojnë 600 milionë dollarë në një fond familjar të destinuar për të dhe vëllezërit e saj.
Ajo pretendon se fondi, i krijuar pas vdekjes së këngëtarit në vitin 2009, edhe pas më shumë se 17 vjetësh ende nuk ka marrë fonde, megjithëse pasuria ka gjeneruar të ardhura në vlerë miliarda dollarë, transmeton "People".
Në një dokument gjyqësor të dorëzuar më 29 tetor, Paris, 28 vjeçe, kërkon nga një gjykatës në Los Anxhelos të miratojë një shpërndarje të pjesshme të fondeve në "Fondi Familjar i Michael Jackson" – një fond i destinuar për fëmijët e tij: Prince (29), Paris dhe Bigi (24).
Sipas dëshirave të të atit të saj, fëmijët duhej të fillonin të merrnin të ardhura nga pjesët e tyre në moshën 21 vjeç, ndërsa pagesa e pjesëve të kapitalit ishte parashikuar për moshat 30, 35 dhe 40 vjeç. Paris pretendon se kjo nuk po zbatohet ashtu siç Michael kishte parashikuar dhe se ajo dhe vëllezërit e saj varen nga vendimet e ekzekutorit të testamentit, John Branca.
Avokatët e saj theksojnë se, përmes marrëveshjeve biznesi dhe shitjes së pasurisë, pasuria ka fituar më shumë se një miliard dollarë, para taksave dhe mbulimit të shpenzimeve. Ndër transaksionet e rëndësishme janë shitja e pjesës në "EMI Music Publishing" në vitin 2018 për 287.5 milionë dollarë, shitja e rançit "Neverland" në vitin 2020 për 22 milionë dollarë, si dhe marrëveshja me "Sony" e lidhur në vitin 2023.
Sipas raporteve financiare, në fund të vitit 2024, pasuria kishte rreth 850 milionë dollarë në para të gatshme dhe mjete likuide. Paris beson se, pasi të përmbushen detyrimet e mundshme, rreth 600 milionë dollarë mund të transferohen në një trust familjar.
foto/EPA



