Demokratët përgatitin goditje ndaj gjigantëve teknologjikë dhe inteligjencës artificiale

Pas fitores në zgjedhjet për Kongres, demokratët amerikanë njoftojnë një qasje më të rreptë ndaj kompanive teknologjike dhe zhvillimit të inteligjencës artificiale. Mazhoranca e re planifikon dëgjime të drejtorëve të kompanive më të mëdha teknologjike në Kongres dhe vendosjen e rregullave më të ashpra për inteligjencën artificiale, shkruan "Politico".
Kjo përbën një kthesë në politikën e presidentit Donald Trump, i cili në administratën e tij mbështeste zhvillimin më të shpejtë të inteligjencës artificiale me më pak kufizime rregullatore.
Kryetari i Klubut Progresiv në Kongres, demokrati Greg Casar, vlerësoi rezultatet e zgjedhjeve si "tërmetin e parë para një tërmeti shumë më të madh lidhur me inteligjencën artificiale, që ndryshon thellësisht politikën amerikane".
Demokratët kërkojnë mbikëqyrje më të madhe mbi kompanitë teknologjike, veçanërisht në lidhje me sigurinë, mbrojtjen e qytetarëve dhe përgjegjësinë për pasojat e përdorimit të inteligjencës artificiale.
Një temë e rëndësishme në fushatën zgjedhore ishin edhe qendrat e të dhënave, të cilat konsumojnë sasi të mëdha energjie elektrike dhe uji. Një shqetësim shtesë shkaktojnë humbjet e mundshme të vendeve të punës, përhapja e dezinformatave dhe përqendrimi i fuqisë teknologjike në duart e disa kompanive.
Senatori demokrat John Ossoff në fjalimin e tij fitues kritikoi miliarderët teknologjikë që, siç tha, ndërtojnë bunkerë ndërsa paralajmërojnë se inteligjenca artificiale që ata vetë krijojnë mund të çojë në zhdukjen e njerëzimit.
Derimë tani nuk dihet nëse iniciativat e paralajmëruara do të rezultojnë me ligje të reja apo do të mbeten në dëgjime kongresuale dhe presion politik.



