Dimitrieska-Kocoska në Sesionin Plenar të Takimeve Vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore: Në kushte të pasigurisë globale, disiplina fiskale dhe reformat strukturore janë kyçe për rritje të qëndrueshme

Disiplina fiskale, menaxhimi efikas i shpenzimeve publike dhe përshpejtimi i reformave strukturore janë kyçe për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe sigurimin e rritjes së qëndrueshme në kushte të pasigurisë globale të shtuar.
Ekonomia globale vazhdon të tregojë rezistencë, por goditjet e përsëritura ekonomike po zvogëlojnë rezervat fiskale dhe energjetike të disponueshme, ndërsa presionet inflacioniste mbeten një sfidë për shumë vende. Në këto kushte, menaxhimi i kujdesshëm i politikave makroekonomike është thelbësor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të inflacionit.
Këto ishin mesazhet kryesore në Sesionin Plenar të Takimeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ku mori pjesë ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Kocoska.
Në sesionin përmbyllës plenar të Takimeve Vjetore në Bangkok folën drejtoresha e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, kryetari i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe kryetari i Takimeve Vjetore dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Paraguait, Carlos Carvalho Spalding.
"Në kushte të pasigurisë globale dhe goditjeve të përsëritura ekonomike, menaxhimi përgjegjës i financave publike është baza për një ekonomi të qëndrueshme. Fokusimi ynë është në konsolidimin fiskal, përdorimin më efikas të fondeve publike dhe zbatimin e reformave strukturore që do të rrisin produktivitetin, do të nxisin investimet dhe do të forcojnë konkurrencën e ekonomisë vendase. Qëllimi është të sigurojmë rritje të qëndrueshme dhe perspektiva më të mira për qytetarët dhe kompanitë", theksoi ministrja e financave Gordana Dimitrieska-Kocoska.

Gjatë Takimeve Vjetore që u mbajtën në Bangkok javën e kaluar, ministrja Dimitrieska-Kocoska zhvilloi takime me nënkryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonela Basani, nënkryetarin e IFC-së për Evropën, Amerikën Latine dhe Karaibet, Alfonso Garcia Mora, dhe drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Konstituencën ku bën pjesë vendi ynë, Eugene Rugenat. Në takime u theksua rëndësia e përshpejtimit të reformave, realizimit të investimeve strategjike dhe mbështetjes së sektorit privat si motor i rritjes ekonomike.
Ministrja gjithashtu zhvilloi takime edhe me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jerun Klik, dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv, Marniks van Raj. Në fokus të takimeve ishin konsolidimi fiskal afatmesëm, ruajtja e disiplinës fiskale dhe zbatimi i reformave për forcimin e rezistencës së financave publike, me mbështetje të njëkohshme të investimeve dhe rritjes ekonomike.
Pjesëmarrja në Takimet Vjetore mundëson shkëmbim mendimesh dhe përvojash me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bartës të politikave ekonomike, si dhe vlerësimin e trendeve globale ekonomike dhe ndikimin e tyre në ekonomitë kombëtare.
Mesazhet nga takimet konfirmojnë rëndësinë e politikave ekonomike të qëndrueshme dhe përgjegjëse, financave publike të qëndrueshme dhe reformave të vazhdueshme si bazë për stabilitet afatgjatë, konkurrencë dhe rritje ekonomike.



