Kina padit shtetin amerikan të Miçurit: kërkon 48 miliardë euro për pretendimet lidhur me koronavirusin

Në një gjykatë në Wuhan kanë filluar seancat për një padi për shpifje, të ngritur nga autoritetet kineze dhe institucionet shkencore kundër shtetit amerikan të Miçurit. Të paditurit – mes të cilëve janë disa prokurorë aktualë dhe të mëparshëm të këtij shteti – akuzohen për shpikje dhe përhapje të informacionit të rremë lidhur me pandeminë e koronavirusit, raporton Reuters.
Sipas raportimit të publikuar dje, Gjykata Popullore e Mesme në Wuhan, që ndodhet në provincën Hubei, ka pranuar zyrtarisht çështjen. Padia është ngritur së bashku nga autoritetet e qytetit Wuhan, Instituti lokal i Virologjisë dhe Akademia Kineze e Shkencave në Pekin.
Paditësit pretendojnë se shteti i Miçurit, prokurorët e mëparshëm Erik Shmit dhe Endru Bejli, si dhe prokurorja aktuale Ketrin Hanavej, kanë organizuar dhe nisur "procedura ligjore keqdashëse dhe fyese" në Shtetet e Bashkuara. Në padinë thuhet se të paditurit kanë shpikur dhe përhapur informacione të rreme, si dhe kanë dhënë "deklarata stigmatizuese dhe diskriminuese". Sipas paditësve, këto veprime kanë dëmtuar rëndë reputacionin e tyre dhe kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare.
Kërkesa për falje dhe dëmshpërblim
Pala kineze kërkon një falje publike zyrtare, rikthim të reputacionit dhe kompensim dëmi. Sipas gazetës South China Morning Post, paditësit kinezë kërkojnë dëmshpërblim në shumën prej 356.44 miliardë juanë, që është ekuivalent me 47.8 miliardë euro. Zyra e prokurorit të Miçurit nuk ka kthyer përgjigje për kërkesën për koment. Kjo padi kineze përbën vazhdim të një mosmarrëveshjeje ligjore që vazhdon që nga prilli i vitit 2020. Atëherë, Miçuri kishte ngritur padi kundër provincës Hubei dhe subjekteve të tjera kineze, duke kërkuar që ata të mbajnë përgjegjësi për dëmin ekonomik që supozohet të jetë shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.



