Qytetarët ruajnë 7,5 miliardë euro në banka, por sa prej tyre kanë vërtet kursime?

Në llogaritë bankare të qytetarëve maqedonas ndodhen 7,51 miliardë euro, dhe depozitat vazhdojnë të rriten pavarësisht inflacionit dhe kostove të larta të jetesës. Megjithatë, kjo shumë nuk tregon se sa pjesë e parave është e shpërndarë mes popullsisë, dhe sa është e përqendruar tek qytetarët me të ardhurat më të larta.
Të dhënat e Bankës Popullore, të publikuara me rastin e Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor, tregojnë se depozitat totale në sistemin bankar në shtator arritën afërsisht 11,2 miliardë euro. Nga këto, depozitat e familjeve ishin 7,51 miliardë euro, krahasuar me rreth 7,2 miliardë euro në fillim të vitit. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 310 milionë euro për nëntë muaj.
Nëse shuma totale ndahet në rreth 1,83 milion banorë, mesatarja do të ishte afërsisht 4.100 euro për banor. Megjithatë, kjo është vetëm një llogaritje matematikore, dhe jo një pamje reale e kursimeve të qytetarëve. Në depozita përfshihen edhe mjetet në llogaritë transaksionale, paratë në dispozicion dhe depozitat me afat, që do të thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për kursime afatgjata.
Për të përcaktuar sa vërtet kursen qytetari mesatar, nevojiten të dhëna më të detajuara për shumën e depozitave dhe numrin e kursimtarëve. Shuma totale nuk tregon sa familje kanë kursime të konsiderueshme, dhe sa mezi arrijnë të mbulojnë nevojat e përditshme.
Në të njëjtën kohë, rritet edhe borxhi i popullsisë. Në shtator kreditë për qytetarët arritën afërsisht 4,93 miliardë euro, ndërsa depozitat ishin më të larta për më shumë se dy miliardë euro.
Gjatë vitit depozitat e familjeve kanë shënuar kryesisht rritje, megjithëse ka pasur edhe ulje të përkohshme. Në mars qytetarët tërheqën rreth 31,8 milionë euro, ndërsa në korrik kursimet arritën afërsisht 7,52 miliardë euro. Në gusht ato u ulën në 7,49 miliardë, për të rritur sërish në shtator në 7,51 miliardë euro.
Të dhënat tregojnë edhe një orientim më të madh drejt kursimeve në denar dhe afatgjatë të një pjese të mjeteve, që mund të lidhet me besimin në monedhën vendase dhe normat e interesit që ofrojnë bankat.
Megjithatë, mundësia për kursim nuk është e njëjtë për të gjithë qytetarët. Ndërsa disa familje mund të ndajnë rregullisht pjesë të të ardhurave dhe të krijojnë një rezervë financiare, të tjerët shpenzojnë pjesën më të madhe të mjeteve për ushqim, banim, energji elektrike, ngrohje dhe transport.
Për këtë arsye, rritja e depozitave nuk do të thotë domosdoshmërisht përmirësim të standardit të jetesës për gjithë popullsinë. Për të marrë një pamje më reale të gjendjes financiare të qytetarëve, nevojiten të dhëna për sa familje kanë kursime të mjaftueshme për disa muaj, sa nuk mund të mbulojnë shpenzime të paparashikuara dhe ku janë të përqendruara shumica e mjeteve të depozituara.
Miliardat në banka tregojnë se sistemi bankar disponon me gjithnjë e më shumë mjete, por vetë ato nuk nënkuptojnë se çdo qytetar ka siguri financiare më të madhe.



