Velichkovski: Një vit nga integrimi në SEPA – kursime prej 5 milionë eurosh, pagesa ndërkufitare më të shpejta dhe më të lira

Integrimi në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) tashmë sjell përfitime praktike për qytetarët dhe për subjektet afariste, ndërsa njëkohësisht ofron edhe potencial shtesë për forcimin e ekonomisë përmes inovacionit, transformimit digjital, konkurrencës më të madhe dhe përfshirjes më të mirë financiare, thotë zv.guvernatori në Bankën Popullore Igor Velichkovski, në një publikim për Këshillin Evropian për Pagesa, me rastin e një viti nga integrimi i vendit në SEPA.
Duke prezantuar rezultatet në vitin e parë të përdorimit, zv.guvernatori thekson se për qytetarët, dërgimi i 500 eurove në një vend të SEPA-s është mesatarisht gjashtë herë më i lirë se sa sipas modelit të bankave korrespondente, ndërsa kostot për marrjen e një transferi të tillë janë përgjysmuar. Dërgimi i 20.000 eurove nga bizneset te pala kontraktuese në SEPA tani kushton nëntë herë më pak sipas sistemit SEPA, me ulje të dukshme edhe në anën e marrësit. Për përfundimin e pagesave në euro më parë duheshin nga një deri në tre ditë pune, ndërsa transaksionet përmes SEPA tani përpunohen në të njëjtën ditë pune ose, më së voni, deri në ditën e ardhshme pune – informon Velichkovski.
Pagesat përmes SEPA shënojnë rritje të vazhdueshme, gjë që, thekson zv.guvernatori, tregon se tregu është mirë i përgatitur për ofrimin e këtyre shërbimeve dhe se përdoruesit po njohin gjithnjë e më shumë vlerën e tyre praktike.
Velichkovski nënvizon edhe rolin e sektorit bankar me sigurimin e aksesit të gjerë në shërbimet SEPA për përdoruesit në të gjithë vendin. Të dhënat më të fundit tregojnë se kanali SEPA tashmë përfshin pothuajse 70 për qind të transaksioneve, sipas numrit të rrjedhave hyrëse dhe dalëse, që rezulton në kursime të konsiderueshme të provizioneve bankare, të vlerësuara rreth 5 milionë euro gjatë vitit të parë të pjesëmarrjes në SEPA. Këto janë kursime direkte financiare për familjet dhe bizneset, duke krijuar mundësi shtesë për investime dhe rritje lokale, si dhe potencialisht forcim të konkurrencës, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe eksportuesit, thotë zv.guvernatori Velichkovski.
Ai vlerëson se deri tani ka një forcim të konsiderueshëm të konkurrencës së çmimeve, ndërsa ndryshimet në numrin dhe larmishmërinë e pjesëmarrësve në treg po ndodhin gradualisht. Tarifat për transaksionet SEPA janë ulur ndjeshëm, dhe çmimet te ofruesit e ndryshëm të shërbimeve janë bërë gjithnjë e më konkurruese – thotë Velichkovski.
Prioritet i Bankës Popullore janë pagesat instant si hapi i madh i ardhshëm në përkushtimin për modernizimin e sistemit kombëtar të pagesave.
Zv.guvernatori Velichkovski përcjell mesazhin se kalimi në pagesat instant dhe përputhja me standardet rregullatore evropiane nuk përbëjnë vetëm një reformë të sektorit financiar, por një hap strategjik që mundëson rritje më të shpejtë ekonomike dhe integrim më të thellë të vendit në rrjedhat evropiane dhe globale.



