Janevska: Po bëhen të dukshme rezultatet e projekteve shkencore që i mbështetëm me buxhet prej 6 milionë eurosh

Me gjashtë milionë euro, vitin e kaluar Qeveria e Maqedonisë financoi zbatimin e rreth 50 projekteve kërkimore shkencore me interes publik, të cilat i realizojnë institucionet publike shkencore dhe të arsimit të lartë, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve dhe komuniteti i biznesit. E kemi nxitur dukshëm shkencën dhe sot tashmë fillojmë të shohim rezultatet e atyre projekteve.
Këtë e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, në hapjen e konferencës ndërkombëtare shkencore të Institutit Publik Ndëruniversitar për Pronësi Intelektuale – „Pronësia intelektuale dhe transformimi digjital në shoqërinë maqedonase“, e cila organizohet në kuadër të projektit „Faktorët e menaxhimit të pronës intelektuale dhe transformimit digjital në Maqedoni“, financuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
„Në fokus të këtij projekti është ndikimi i transformimit digjital mbi kornizën ligjore për mbrojtjen e pronës intelektuale. Është e rëndësishme që kjo të jetë objekt i kërkimit, sepse zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe dixhitalizimi i përshpejtuar hapin mundësi të reja, por njëkohësisht paraqesin sfida serioze për kornizat ligjore dhe rregullatore ekzistuese. Mbrojtja e të drejtave të autorit, markave tregtare, patentave, sekretit tregtar dhe të dhënave personale merr një dimension të ri dhe është e nevojshme që këto procese të analizohen në mënyrë sistematike, shkencore dhe në përputhje me tendencat bashkëkohore evropiane dhe botërore“, tha Janevska.
Ministrja theksoi se kërkimi tashmë ka forcuar marrëdhënien midis shkencës dhe bartësve të vendimeve, me profesionin ligjor dhe me institucionet që kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e pronës intelektuale.
„Nga pozita e ministres së arsimit dhe shkencës, jam krenare jo vetëm për këtë, por edhe për të gjitha projektet e tjera që i mbështetëm si Qeveri gjatë vitit të kaluar. Janë të rëndësishme, sepse konfirmojnë rolin e shkencës si motor i zhvillimit dhe si partner i rëndësishëm në krijimin e politikave publike të bazuara në njohuri dhe dëshmi shkencore“, shtoi Janevska.
Ajo potencoi se qëllimi i Qeverisë është që puna kërkimore-shkencore të krijojë rezultate që do të kenë vlerë reale për institucionet, për ekonominë dhe për qytetarët.
„Prandaj buxheti për shkencën është dyfishuar. Për më tepër, është mundësuar qasje falas në bazat më të njohura globale shkencore „Web of Science“ dhe „Scopus“ për të gjithë shkencëtarët dhe profesorët akademikë maqedonas. MASh mbulon shpenzimet për publikimin e punimeve shkencore në revista me faktor ndikimi, për organizimin e konferencave shkencore vendore dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare shkencore, si dhe shpenzimet për publikimin e përmbledhjeve“, tha Janevska.



