Sllovakia konfirmoi mbështetjen për rrugën evropiane të Maqedonisë, Muçunski dhe Blanar diskutuan për thellimin e bashkëpunimit

Në ftesë të ministrit për punë të jashtme dhe tregti të jashtme, Timço Muçunski, sot në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut qëndroi ministri për punë të jashtme dhe evropiane i Republikës së Sllovakisë, Juraj Blanar.
Fokusi kryesor i bisedimeve u vendos në avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe riafirmimin e mbështetjes sllovake për procesin tonë të integrimit evropian. Në takim u vlerësua së bashku se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivel të lartë, ku u shpreh interes i veçantë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të reja.
Ministri Muçunski theksoi rëndësinë e mbështetjes principiale nga Sllovakia për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
"Pritshmëria jonë është e qartë: procesi i integrimit evropian të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, dhe përparimi të vlerësohet sipas kritereve dhe standardeve të përcaktuara", theksoi Muçunski.
Duke folur për integrimin evropian, ministri Muçunski konfirmoi angazhimin e fortë të Qeverisë për reformat dhe zbatimin e Agjendës së Reformave.
Nga ana e tij, ministri Blanar riafirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë për rrugën tonë evropiane, duke theksuar se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë procesin e zgjerimit dhe të dërgojë një sinjal të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor se anëtarësimi përbën një perspektivë reale.
"Republika e Sllovakisë është kundër çdo standardi të dyfishtë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nuk mund të pranojmë që integrimi evropian i bazuar në standardet evropiane të ketë kritere të ndryshme për vende të ndryshme", theksoi Blanar.
Në këtë kontekst, ministri sllovak e përmendi vendin tonë si shembull të suksesshëm në zbatimin e Planit të Rritjes, duke theksuar rëndësinë e rezultateve konkrete dhe një perspektive të qartë evropiane për rajonin.
Gjatë bisedimeve u kushtua vëmendje e veçantë edhe tregtisë dhe investimeve të drejtpërdrejta, si dhe mundësive për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në arsim dhe kulturë. U theksua se partneriteti shumëvjeçar përbën një bazë të fortë për hapjen e mundësive të reja në fushat me interes të përbashkët.
Ministri Muçunski shprehu falënderimin për angazhimin aktiv të Sllovakisë në mbështetje të sigurisë rajonale, zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimit të integrimit evropian.
Të dy ministrat konfirmuan vendosmërinë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dhe për rezultate konkrete në interes të qytetarëve të dy vendeve.



