E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski për Radhepin: Me sundimin tuaj dëbuat 10 mijë veta nga Brvenica, e tani të njëjtët i lutni të kthehen dhe të votojnë në bazë etnike

Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme parlamentare për vendosjen e pyetjeve deputetore, duke iu përgjigjur akuzave të deputetit të NDI-së, Skender Radhepit për mesazhet që dërgohen gjatë fushatës në Brvenicë, theksoi se askush nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni nuk ka thirrur për votim etnik.

„Rreth pjesës së mesazheve që i dërgoni për atë që kam thënë unë kur isha në Brvenicë, në fakt nuk është hera ime e parë, unë nuk di sa herë ju keni qenë në atë komunë, por unë kam kaluar të gjitha fshatrat atje dhe disa nga fshatrat i kam kaluar edhe disa herë. Ja, për shembull në Tenovë kam qenë për herë të katërt, në Radiovcë për herë të tretë, Sedlarcë, Brvenicë, Gurgurnicë, mund t’i rendis, Stencë, Volkovi, Blacë. Mund t’i rendis të gjitha tani, nga i pari deri te i fundit dhe në fund të përfundojmë në Çelopek sepse aty po ndërtojmë edhe kopsht fëmijësh edhe sallë sportive me paratë e kësaj qeverie. Njëzet vjet ju keni bërë zero projekte për Brvenicën dhe rezultati i atyre zero projekteve zoti Radhepi është 10 mijë të zhvendosur prej të cilëve 90% janë shqiptarë. Dhe tani shkoni nëpër Evropë dhe botë, gjunjëzoheni dhe u thoni kthehuni në Brvenicë të votoni sepse nuk guxojnë këta të fitojnë dhe të kenë kryetar të tyre në Brvenicë. Të njëjtët që ikën nga 20 vjet sundimi juaj në qeveri. Ju i dëbuat“, theksoi Mickoski.

Ai gjithashtu theksoi se mesazhet që i ka dërguar në Brvenicë kanë qenë se qytetarët duhet të votojnë sipas bindjes së tyre dhe të mos lejojnë që t’i ndajnë njerëzit që këto zgjedhje i shohin si një shkop shpëtimi për karrierat e tyre.

„Njerëz nga koalicioni juaj dolën dhe thirrën për votim etnik. Nga ky koalicion askush nuk doli, as nga VMRO të thotë votoni në bazë etnike. Askush. Përkundrazi, mesazhi im ishte, do të duan t’ju ndajnë në bazë etnike, mos lejoni. Këtë e bënë që nga dita e parë. Mos lejoni sepse ju përsëri do të hyni edhe në xhami edhe në kishë. Përsëri do të jeni njëri pranë tjetrit. Ata do të ikin. Për ta kjo është një shkop për karrierën e tyre politike, e për ju është gjithçka. Ju lutem mos lejoni të ndaheni, por dilni dhe votoni ashtu si mendoni se duhet të votoni për atë që mendoni se është më i miri. Sigurisht unë jam këtu për të mbështetur kandidatin që është i VMRO-DPMNE dhe koalicionit, por ju vendosni. Mos lejoni që njerëzit e së kaluarës të ndikojnë në të ardhmen tuaj. Ky ishte mesazhi im edhe për banorët e Tetovës“, theksoi Mickoski.

Lajme të ngjashme