E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Për vite me radhë kanë paguar dyfish për kontrollet e pacientëve, tre të punësuar në FZO dhe dy në spital privat nën hetim

Operacionet e syve janë paguar dy herë – një herë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe një herë nga vetë pacientët. Kjo është një nga parregullsitë më të mëdha të zbuluara në kuadër të hetimit për keqpërdorime financiare në shëndetësi, për të cilën sot Ministria e Punëve të Brendshme po kryen bastisje në disa lokacione nëpër vend.

Ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, deklaroi se në rast janë përfshirë tre persona nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe dy persona nga një institucion privat shëndetësor.

Sipas Klekovskit, bëhet fjalë për një institucion shëndetësor që ka kryer shkelje disa herë, por për to nuk është ndëshkuar në mënyrë të duhur. Ai theksoi se personalisht ka kërkuar nisjen e një hetimi për të ndalur, siç tha, zinxhirin e pandëshkueshmërisë.

"Pra, nuk është një herë, dy herë, tre herë, por përsëritje e vazhdueshme e shkeljeve të ngjashme për të cilat nuk është ndëshkuar në mënyrë të duhur. Unë kam propozuar Komisionit për shkelje, dhe ai e pranoi, që të ndërpritet kontrata me atë institucion shëndetësor për të ndalur zinxhirin e pandëshkueshmërisë dhe kam kërkuar nisjen e hetimit", deklaroi Klekovski.

Ai shtoi se në hetim, përveç MPB-së dhe Sektorit për kontrollin e Fondit, janë përfshirë edhe Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Agjencia për Barnat dhe institucione të tjera kompetente.

MPB-ja konfirmoi se zyrtarë policorë nga Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe serioz po kryejnë bastisje në disa lokacione, në koordinim me prokurorin kompetent nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Pas përfundimit të plotë të aksionit do të informojmë në mënyrë të duhur publikun", njoftuan nga MPB.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara në disa media, hetimi përfshin edhe ish-drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Den Donçev, i cili drejtoi institucionin në periudhën kur në pushtet ishte LSDM. Jozyrtarisht, dëmi ndaj buxhetit shtetëror vlerësohet mbi 1.5 milionë euro, ndërsa përfitimi i paligjshëm për spitalin privat rreth katër milionë euro. Po hetohen edhe dyshime se është dëmtuar një numër më i madh pacientësh.

Lajme të ngjashme