Osmani kërkoi nga Franca mbështetje më të madhe për eurointegrimet dhe marrëdhëniet me Bullgarinë

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndodhet në një vizitë pune në Paris, ku zhvillon takime në Senatin francez, Asamblenë Kombëtare dhe institucione të tjera franceze, me fokus perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të BDI-së, në qendër të bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian, ngecja e Maqedonisë së Veriut në këtë proces, si dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit ndëretnik përmes respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
"Gjatë bisedimeve u shqyrtuan edhe mundësitë për integrim gradual në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian, me qëllim që qytetarët të kenë përfitime konkrete nga procesi i integrimit edhe para anëtarësimit të plotë. Osmani kërkoi angazhim më të fuqishëm të Francës për të siguruar një interpretim të qartë, të vetëm dhe të pakundërshtueshëm të procesit të integrimit evropian në vend, si dhe mbështetje në kuadër të marrëdhënieve të vendit me Bullgarinë", njoftoi BDI.
Osmani theksoi gjithashtu se nuk duhet lejuar që Maqedonia e Veriut të mbetet anash nga proceset kyçe evropiane në rajon.
"Është bërë shumë, do të thoja është investuar, veçanërisht nga Republika Franceze në këtë proces, për të cilën jemi veçanërisht mirënjohës; por dukshëm na duhet mbështetje shtesë, në mënyrë që integrimet të vazhdojnë", theksoi Osmani.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Marrëveshjes së Ohrit, si themel i stabilitetit, barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit. Osmani shprehu shqetësimet lidhur me zhvillimet që prekin të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe respektimin e parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje.
Ai theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe përparimi drejt Bashkimit Evropian mbeten ngushtë të lidhura me stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.
Vizita në Paris është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për dialog me partnerët evropianë për perspektivën e vendit dhe zhvillimet me rëndësi për rajonin.



