(Video) Filipçe: Buxheti është në gjendje katastrofale, mungojnë 900 milionë euro, Mickoski bën ribalanc për mbushjen e boshllëqeve

Buxheti është në gjendje katastrofale, mungojnë 900 milionë euro, dhe ribalanci i dytë është një pranim për menaxhimin e keq të financave dhe ekonomisë nga Qeveria e Mickoskit, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp.
Filipçe theksoi se mungojnë edhe mjete shtesë në Fondin për sigurim pensioni dhe invaliditeti, për shkak të së cilës hapet pyetja nga cilat burime do të paguhen pagat dhe pensionet në periudhën e ardhshme.
„Më shumë e më shumë po del në pah se buxheti është në gjendje katastrofale, mungojnë pothuajse një miliard euro, 900 milionë euro mungojnë në buxhet, shtesë në Fondin për sigurim pensioni dhe invaliditeti për pensionet mungon gjithashtu edhe një miliard euro. Stabiliteti i buxhetit është seriozisht i rrezikuar, si dhe fakti që gjithnjë e më shumë hapen pyetje nga ku dhe nga cilat burime në periudhën e ardhshme, a para Vitit të Ri, a në fillim të vitit të ardhshëm, do të paguhen pagat dhe pensionet“, tha Filipçe.
Ai theksoi se, ndërsa shtetet e tjera tashmë diskutojnë për buxhetet për vitin e ardhshëm, Maqedonia bën ribalancin e dytë gjatë një viti.
„Nuk ka shtet që tani bën ribalancin e dytë të buxhetit. Tani të gjitha shtetet që menaxhohen mirë, tashmë diskutojnë për buxhetet për vitin 2027. Çfarë bëjmë ne? Ribalanc për, sapo të përfundojë ky ribalanc, të fillojë dhe të hapet diskutimi për buxhetin për vitin e ardhshëm.
Nuk ka dëshmi më të madhe për menaxhim të keq të buxhetit, financave dhe ekonomisë nga ana e Kristian Mickoskit sesa ky ribalanc i dytë“, theksoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së nënvizoi se me ribalancin nuk ka para për paga më të larta dhe standard më të mirë, por shkurtohen investimet kapitale dhe hapet rruga për borxh të ri.
„Kur nuk sjell standard më të mirë për qytetarët, nuk ka para për paga më të larta, nuk ka stabilizim fiskal, nuk ka investime kapitale, përkundrazi, ato shkurtohen, ky është ribalanc për të bërë borxh për shpenzim, dmth ribalanc me të cilin do të mbushen boshllëqet në buxhet. Dështim total dhe në praktikë pranim se gjithçka është gabuar në ndërtimin e këtij buxheti“, tha Filipçe.
Ai kujtoi se me ribalancin e korrikut deficiti u rrit me arsyetimin se mjetet do të shkojnë për investime kapitale, por tani ato investime shkurtohen, ndërsa deficiti i rritur mbetet.
„Me ribalancin e korrikut, deficiti u rrit për rreth 7 miliardë denarë. Atëherë, arsyetimi ishte se ato para do të shkonin për investime kapitale. Tani, shuma e investimeve kapitale po shkurtohet, nga ribalanci i korrikut po kthehet në nivelin fillestar të parashikuar, ndërsa deficiti mbetet 7 miliardë denarë mbi planin fillestar“, theksoi Filipçe.
Planifikimi i keq shihet edhe te të ardhurat, të cilat projektohen nga Qeveria tani në ulje, ndërsa borxhi publik vazhdon të rritet.
„Në anën e të ardhurave nuk ka dëshmi më të madhe për planifikim të keq dhe mungesë kapaciteti të institucioneve. Në korrik Qeveria e rriti projektimin në 379.5 miliardë denarë, ndërsa tani e ul për 5.3 miliardë denarë në rreth 374 miliardë denarë. Çfarë do të thotë kjo? Se në anën e të ardhurave ka dështim serioz. Borxhi publik po rritet, do të arrijë në 12 miliardë euro me borxhet e ndërmarrjeve publike, kryesisht të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore“, tha Filipçe.
Ai theksoi se për dy e gjysmë vite borxhi është rritur për rreth 4 miliardë euro, ndërsa qytetarët nuk kanë ndjerë përmirësim të standardit të jetesës.
„Për dy vite, praktikisht dy e gjysmë vite, është rritur për 50 për qind borxhi total i shtetit. Nga 8 në pothuajse 12 miliardë euro. Dhe nga ky borxh i rritur, nga këto pothuajse 4 miliardë euro të reja, borxh rekord që nga pavarësia e vitit ’91 i shtetit, qytetarët nuk panë asgjë të mirë. Le të kishte standard më të mirë, le të kishte paga më të larta, le të kishte subvencione më të mëdha në bujqësi, le të kishte rritje të të ardhurave përmes ushqimit apo burimeve të tjera për studentët, le të kishte ndonjë stimulim për të rinjtë që të qëndrojnë në vend, diçka të ndodhte në anën cilësore në shëndetësi, diçka në arsim. Askush nuk pa ndonjë përfitim nga kjo rritje e madhe, vetëm borxhe dhe interesa, që do t’i paguajnë brezat e ardhshëm që nuk dihet sa do të jenë“, potencoi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së njoftoi amendamente me të cilat kërkohen paga minimale më të larta, më shumë mjete për të rinjtë, rritje e ushqimit për studentët dhe mbështetje për bujqit.
„Tani pushteti ka zgjedhje, para fundit të vitit, le të mbështesë qytetarët, le të bëjë të paktën një hap me të cilin do të rritej standardi në këto kushte jashtëzakonisht të vështira për jetesë. Le të tregojnë pak kujdes, empati, le të kujdesen për qytetarët, jo vetëm për tenderët e tyre partiakë“, u shpreh Filipçe.




