(Video) LSDM: Qeveria refuzoi amendamentin për rritjen e pagës minimale për 22.000 të punësuar

Deputetët e pushtetit refuzuan amendamentin e LSDM-së me të cilin propozohet rritja e fondeve për paga dhe kontribute, me qëllim sigurimin e kushteve financiare për rritjen e pagës minimale për rreth 22.000 të punësuar tek përdoruesit e buxhetit, reagojnë nga kjo parti.
Amendamentin e arsyetoi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bitici, në seancën e Komisionit për financim dhe buxhet, ku po shqyrtohet Buxheti për vitin 2026.
Me amendamentin propozohet rritja e fondeve për pagat bazë nga 35.329.806.000 në 35.817.786.000 denarë, si dhe rritja e fondeve për kontributet e sigurimeve shoqërore nga 14.590.095.000 në 14.726.489.000 denarë.
Bitici theksoi se rritja e pagave është e nevojshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve të jetesës dhe shtrenjtimit të ushqimit, energjisë, transportit dhe nevojave të tjera bazë, të cilat veçanërisht godasin qytetarët me të ardhura më të ulëta.
"Politika buxhetore duhet të sigurojë një përgjigje konkrete ndaj nevojave të punëtorëve, dhe jo të kufizohet vetëm në planifikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve", theksoi Bitici, duke nënvizuar se puna e të punësuarve në sektorin publik duhet të vlerësohet në mënyrë të përshtatshme.
Fondet për rritjen e pagave, sipas propozimit të LSDM-së, duhej të siguroheshin përmes rishpërndarjes së një pjese të fondeve të parashikuara për shpenzime kapitale. Bitici theksoi se sipas vlerësimeve realizimi i shpenzimeve kapitale deri në fund të vitit nuk do të tejkalojë 75 për qind dhe vlerësoi se rishpërndarja e propozuar nuk do të shkaktojë dëm në këtë segment të Buxhetit.
Ai theksoi se të punësuarit që kryejnë shërbimet publike duhet të kenë të ardhura me të cilat do të përballen më lehtë me rritjen e shpenzimeve të jetesës, dhe planifikimi i duhur i fondeve për paga është i rëndësishëm edhe për sigurinë e tyre financiare dhe për funksionimin stabil të institucioneve publike.
"Qëndrimi ynë është se të punësuarit që kryejnë shërbimet publike duhet të kenë punë dhe të ardhura të vlerësuara në mënyrë të përshtatshme që t'u mundësojnë atyre të përballen më lehtë me rritjen e shpenzimeve të jetesës. Me këtë amendament kërkojmë të sigurohen fonde për rritjen e pagës minimale për rreth 22.000 të punësuar tek përdoruesit e buxhetit. Jemi dëshmitarë të shtrenjtimit të vazhdueshëm të ushqimit, energjisë, transportit dhe të gjitha nevojave bazë, dhe kjo veçanërisht godet qytetarët me paga më të ulëta. Mendojmë se Buxheti duhet të përgjigjet ndaj nevojave reale të punëtorëve, dhe jo vetëm të planifikojë të ardhurat dhe shpenzimet. Prandaj propozuam që fondet të sigurohen përmes rishpërndarjes së një pjese të shpenzimeve kapitale, duke pasur parasysh nivelin e realizimit të tyre. Puna e të punësuarve në sektorin publik duhet të vlerësohet në mënyrë të përshtatshme dhe shteti duhet të sigurojë kushte për të ardhura dinjitoze dhe përballim më të lehtë të shpenzimeve në rritje të jetesës.", potencoi Bitici.




