E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Kryeministri norvegjez pas bisedës me Putin: Nuk besoj se do ta ndryshojë mendimin

Kryeministri norvegjez, Jonas Gar Støre, deklaroi se nuk pret që presidenti rus, Vladimir Putin, të ndryshojë qëndrimin e tij për luftën në Ukrainë pas bisedës telefonike të djeshme, në të cilën mori pjesë edhe presidenti finlandez Aleksandar Stub.

Biseda zgjati 90 minuta, dhe qëllimi ishte që Putin të dëgjojë edhe qëndrimet evropiane për luftën, jo vetëm ato amerikane. Kontakti me Kremlinin shkaktoi kritika nga disa aleatë evropianë, përfshirë kryeministren daneze Mete Frederiksen.

"Nuk mendoj se Putin do ta ndryshojë mendimin, por pati mundësinë të dëgjojë shumë qartë qëndrimin tonë. Jam i shqetësuar që disa nga këto mesazhe nuk i arrijnë atij kur bisedon me amerikanët", deklaroi Støre për shërbimin publik norvegjez NRK.

Ai theksoi se Norvegjia angazhohet për uljen e tensioneve, përfshirë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në Rusi dhe Ukrainë, ndalimin e sulmeve ndaj anijeve që transportojnë grurë ukrainas dhe shkëmbimin e të burgosurve ushtarakë.

Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, Støre nënvizoi se Ukraina kurrë nuk do të nënshkruajë një marrëveshje që pranon humbjen e territorit, por mbetet çështja nëse mund të pranojë vijën aktuale të frontit si pikënisje për negociata.

Biseda u zhvillua para pritshmërive për negociata të drejtpërdrejta midis përfaqësuesve ukrainas dhe rusë, të cilat pritet të mbahen muajin e ardhshëm në Abu Dabi.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, deklaroi se biseda nuk solli asgjë të re lidhur me luftën në Ukrainë dhe akuzoi vendet evropiane se duan të sigurojnë një vend në negociata.

Lajme të ngjashme