Durmishi: Investimi në vende pune të shëndetshme dhe të sigurta është investim, jo shpenzim

Siguria dhe shëndeti në punë janë të drejta themelore të çdo punëtori, ndërsa krijimi i një mjedisi pune të sigurt, të shëndetshëm dhe dinjitoz mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës. Këtë e theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në ngjarjen e sotme me rastin e shënimit të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ku gjithashtu jepen Çmimet Kombëtare për sistemin më të mirë të zbatuar të sigurisë dhe shëndetit në punë.
„Siguria dhe shëndeti në punë nuk janë vetëm një detyrim ligjor apo përmbushje e standardeve të përcaktuara. Ato janë të drejta themelore të çdo punëtori, çështje e dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësi e përbashkët. Qëllimi ynë është i qartë – çdo punëtor të ketë një mjedis pune të sigurt, të mbrohet nga rreziqet dhe pas përfundimit të ditës së punës të kthehet në shtëpi i shëndetshëm dhe i sigurt“, theksoi ministri Durmishi.
Në fjalimin e tij ministri theksoi se zhvillimi i shpejtë teknologjik, dixhitalizimi dhe mënyrat e reja të organizimit të punës, përveç mundësive për produktivitet më të madh dhe rritje ekonomike, sjellin edhe sfida të reja për mbrojtjen e punëtorëve. Vëmendje të veçantë, siç nënvizoi, duhet t’i kushtohet rreziqeve psikosociale, stresit dhe ndikimit të proceseve moderne të punës mbi shëndetin mendor të të punësuarve.
„Prioriteti ynë është përmirësimi i vazhdueshëm i kuadrit ligjor, forcimi i parandalimit dhe krijimi i kushteve ku përparimi ekonomik dhe teknologjik do të shoqërohet me standarde më të larta për mbrojtjen e punëtorëve. Ne po ndërtojmë një treg pune ku siguria dhe shëndeti nuk janë një detyrim shtesë, por pjesë përbërëse e çdo procesi pune“, theksoi Durmishi.
Ministri theksoi edhe përgjegjësinë e përbashkët të institucioneve, punëdhënësve, sindikatave, shërbimeve inspektuese dhe vetë punëtorëve në krijimin e një kulture parandalimi, duke veçuar rolin e kompanive.
„Investimi në kushte pune të sigurta dhe të shëndetshme nuk duhet parë si shpenzim, por si investim afatgjatë në njerëzit, në produktivitetin e kompanive dhe në konkurrencën e ekonomisë sonë. Vetëm një punëtor i shëndetshëm dhe i mbrojtur mund të realizojë plotësisht potencialin e tij, ndërsa kompanitë që kujdesen për punonjësit e tyre krijojnë bazën për zhvillim të qëndrueshëm“, u shpreh ministri.
Gjatë ngjarjes u kushtua vëmendje e veçantë kompanive që me praktikat e tyre kontribuojnë në përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Durmishi shprehu kënaqësinë për interesimin e kompanive që edhe këtë vit aplikuan për Çmimin Kombëtar për sistemin më të mirë të zbatuar të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke theksuar se përkushtimi i tyre duhet të jetë nxitje dhe shembull për punëdhënësit e tjerë.
Ai uroi kompanitë e çmuara dhe falënderoi Këshillin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, partnerët socialë dhe të gjithë aktorët që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të punës.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë me aktivitete të orientuara drejt përmirësimit të rregulloreve, ngritjes së vetëdijes publike, forcimit të masave parandaluese dhe bashkëpunimit me partnerët socialë, me qëllim sigurimin e një niveli më të lartë mbrojtjeje për punëtorët.
„Qëllimi ynë i përbashkët nuk është vetëm përmbushja e detyrimeve ligjore, por krijimi i një mjedisi pune ku çdo person do të ndihet i sigurt, i mbrojtur dhe i respektuar. Zhvillimi ekonomik ka vlerë të vërtetë vetëm kur shkon paralelisht me mbrojtjen e shëndetit, sigurisë dhe dinjitetit të punëtorëve“, përfundoi ministri Durmishi.



