E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski: Duam ekonomi që rritjen ta ndjejnë qytetarët dhe investime që krijojnë vende pune me paga të mira

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se qëllimi i Qeverisë është krijimi i një ekonomie që rritjen ta ndjejnë qytetarët, me më shumë investime, vende pune cilësore dhe me paga të mira dhe kushte më të mira për punëtorët. Në fjalimin e tij me rastin e nënshkrimit të Programit Kombëtar për Punë të Dinjitetshme për periudhën 2026–2030, ai paralajmëroi reforma në legjislacionin e punës, modernizim të institucioneve dhe forcim të mbikëqyrjes inspektuese.

"Qëllimi ynë është i qartë: të jemi një vend ku puna respektohet, njohuria vlerësohet, dhe puna siguron një jetë dinjitoze", theksoi Mickoski.

Ai vuri në dukje se Maqedonia përballet me sfida serioze, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrimin e të rinjve, produktivitetin e pamjaftueshëm dhe mos-përputhshmërinë midis arsimit dhe nevojave të kompanive.

"Ne duam një ekonomi që rritet, por edhe më e rëndësishme, një ekonomi që rritjen e saj e ndjejnë qytetarët. Duam më shumë investime, por investime që krijojnë vende pune cilësore dhe me paga të mira", tha kryeministri.

Sipas tij, kompanitë e suksesshme dhe punëtorët e kënaqur janë qëllime të lidhura ngushtë, prandaj politikat qeveritare janë të orientuara drejt rritjes së produktivitetit, zhvillimit të aftësive të reja, përmirësimit të kushteve të punës dhe hapjes së mundësive të reja për punësim.

Mickoski theksoi se vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve dhe krijimit të kushteve që ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni.

"Nuk duam që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut të tyre. Duam që këtu të marrin shansin e tyre të parë, këtu të ndërtojnë karrierë, këtu të krijojnë familje dhe këtu të realizojnë ambiciet e tyre", theksoi ai.

Kryeministri gjithashtu u ndal tek nevoja për fuqizim më të madh ekonomik të grave, pjesëmarrje më të madhe të tyre në tregun e punës dhe sigurimin e mundësive të barabarta për zhvillim profesional.

Duke folur për bashkëpunimin me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Mickoski tha se programi i ri përfaqëson vazhdimësi të partneritetit shumëvjeçar në fushat e të drejtave të punëtorëve, pagës minimale, punësimit të të rinjve dhe dialogut social.

Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme fokusi do të vendoset në reformat në legjislacionin e punës, modernizimin e institucioneve, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese, zhvillimin e aftësive dhe përmirësimin e konkurrencës së ndërmarrjeve.

"Ligjet janë të rëndësishme. Programet janë të rëndësishme. Memorandumet janë të rëndësishme. Por më e rëndësishme është që qytetarët të ndjejnë rezultatet e tyre", theksoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se nënshkrimi i programit është vetëm fillimi, ndërsa detyrimi i vërtetë vjen me zbatimin e tij.

"Puna dinjitoze nuk është privilegj. Ajo është e drejtë. Dhe jeta dinjitoze nuk duhet të jetë dëshirë e paarritshme. Ajo duhet të jetë realitet, mundësi reale për çdo qytetar tonin", përfundoi Mickoski.

Lajme të ngjashme