E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Stojanoski arsyetoi Projekt-ligjin për transformimin në marrëdhënie pune të rregullt

Bojan Stojanoski, deputet i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit „Maqedonia Jote“ prezantoi Projekt-ligjin për transformimin në marrëdhënie pune të rregullt.

„Një zgjidhje ligjore me të cilën i qasemi zgjidhjes sistematike të një problemi shumëvjeçar dhe vendosjes së rregullave të qarta për transformimin e angazhimeve kontraktuale në marrëdhënie pune të rregullt me kohë të pacaktuar. Qëllimi ynë është i thjeshtë: njerëzit që punojnë me ndershmëri dhe kontribuojnë për institucionet për vite me radhë të marrin siguri ligjore, dinjitet dhe të drejta që rrjedhin nga marrëdhënia e rregullt e punës“, tha ai.

Stojanoski tha se për vite me radhë në sektorin publik është krijuar një situatë ku njerëzit kryenin detyra pune të rregullta dhe të vazhdueshme, por formalishte mbeteshin të angazhuar përkohësisht.

„Ata nuk kanë siguri në vendin e punës, nuk kanë të gjitha të drejtat për pushim të paguar, sigurim social dhe pensioni që rrjedhin nga marrëdhënia e rregullt e punës. Dhe kjo nuk është vetëm një çështje administrative. Kjo është një çështje e dinjitetit njerëzor“, tha ai.

Stojanoski sqaroi se çfarë parashikon konkretisht ligji.

„Së pari, lejohet transformimi i angazhimeve kontraktuale në marrëdhënie pune të rregullt me kohë të pacaktuar për personat në institucionet që mbulohen nga ligji. Së dyti, përcaktojmë afate konkrete për realizim. Së treti, sigurojmë mbrojtje për njerëzit gjatë kohëzgjatjes së procedurës. Së katërti, vendosim rregull dhe përgjegjësi në angazhimet e ardhshme. Së pesti, i gjithë procesi do të zbatohet me kontroll financiar“, tha deputeti.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për persona të angazhuar me kontrata me kohë të caktuar, kontrata pune, kontrata autoriale, përmes agjencive për punësime të përkohshme dhe kontrata të tjera për kryerjen e punës.

„Me këtë zgjidhje përfshihen organet e pushtetit shtetëror, institucione të caktuara publike nga fusha e shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale, njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, institutet, fondet dhe institucionet e tjera të përcaktuara me ligj. Janë parashikuar edhe përjashtime konkrete nga përfshirja, të cilat janë të përmendura saktësisht në tekstin ligjor“, tha Stojanoski.

Ai tha se nga kjo zgjidhje ligjore përjashtohen shoqëritë aksionare, personeli ushtarak dhe civil në shërbim në Ushtri pranë Ministrisë së Mbrojtjes, shkollat fillore dhe të mesme, konviktet e nxënësve dhe studentëve, si dhe institucionet e arsimit të lartë dhe shkencorë.

Gjithashtu, janë përjashtuar Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Siguri Kombëtare, Agjencia për Zbulim, Zyra për Siguri Publike, Drejtoria për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Administrata për Policinë Financiare dhe Administrata për Zbulimin Financiar.

Me ligjin, shtoi Stojanoski, dërgohet një mesazh i qartë se angazhimet kontraktuale nuk duhet të jenë zëvendësim i përhershëm për punësimin e rregullt.

Lajme të ngjashme