E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Nikoloski: Eksporti është prioriteti kryesor për ekonominë vendase

Qeveria vazhdon të stimulojë eksportin, sepse kjo është prioriteti kryesor për ekonominë vendase. Ne kemi çmime konkurruese, transport konkurrues, por ai duhet të mbahet. Kërkojmë zgjidhje bilaterale me vendet në zonën Schengen për transportuesit, Zvicra ishte e para që na dha dorën dhe do të vazhdojmë të zgjidhim këtë çështje. Investimet në zhvillimin e rrjetit të transportit në korridoret 8 dhe 10 po realizohen me shpejtësi, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, Aleksandar Nikoloski në “Forumin për tregtinë globale dhe rritjen 2026” në organizim të Dhomës Zvicerane të Maqedonisë.

„Eksporti është prioritet, sepse nëse kufizohemi vetëm në atë që është tregu vendas, atëherë jemi shumë larg, madje edhe nga ky nivel i rritjes ekonomike që kemi tani, dhe sigurisht duhet të rritemi edhe më tej, sepse kjo është shumë larg asaj që do të dëshironim të shihnim. Kështu që, eksporti është prioriteti numër një për ekonominë vendase, diçka që ne shumë e stimulojmë, e mbështesim si Qeveri. Më vjen mirë që po rritet, më vjen mirë që kompanitë e huaja që kanë investuar vazhdojnë të rriten. Gjithashtu, vijnë edhe kompani të reja që duan të investojnë, por ajo që më gëzon veçanërisht është që kompanitë vendase po dalin gjithnjë e më shumë në tregjet e huaja. Pres që të rritemi shumë më tepër në periudhën e ardhshme” – theksoi Nikoloski.

Ai shtoi se investimet në rrjetin rrugor dhe hekurudhor në korridoret 8 dhe 10 po realizohen me shpejtësi dhe në kombinim me çmimet konkurruese të shërbimeve, Maqedonia shënon rritje të ekonomisë dhe eksportit.

„Çmimi i karburantit në Maqedoni është padyshim më i lirë, jo vetëm në të gjithë rajonin, por në të gjithë Evropën. Më tej, çmimi i shërbimeve hekurudhore, që i ofron Transporti Hekurudhor Maqedonas, gjithashtu është më i lirë dhe më konkurrues në rajon. Kështu që, mendoj se detyra jonë në periudhën e ardhshme do të jetë të mbajmë këto çmime, duke pasur parasysh sfidat globale” – tha Nikoloski.

Shtoi se Qeveria mbetet e përkushtuar fuqishëm për mbështetjen e kompanive vendase, por edhe të huaja. „Së tepërmi, ajo që duhet të punohet, përfundoi zëvendëskryeministri Nikoloski, është procesi i standardizimit për të rritur konkurrencën e tyre në tregjet e huaja.”

Lajme të ngjashme