E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Holanda i premtoi ndihmë ushtarake Ukrainës prej 500 milionë eurosh

Holanda do t'i sigurojë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë prej 500 milionë euro këtë dimër, deklaroi sot kryeministri holandez Rob Jetten pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Hagë, transmeton "Reuters".

"Fondet do të përdoren për blerjen e dronëve dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës", tha Jetten.

Më parë sot, para mbërritjes së Zelenskyt, qeveria holandeze njoftoi se do t'i sigurojë Ukrainës ndihmë jo-ushtarake shtesë prej 1.2 miliardë eurosh gjatë tre viteve të ardhshme. Nga kjo shumë, 380 milionë euro janë të destinuara për rindërtimin e Ukrainës në vitin 2027, ndërsa rreth 410 milionë euro do të ndahen për secilin nga vitet 2028 dhe 2029.

Një pjesë e fondeve do të drejtohen në mekanizma për mbështetjen e kompanive holandeze të interesuara për investime në rindërtimin e Ukrainës. Fondet e mbetura janë të destinuara për riparime urgjente të infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe për blerjen e makinerive për industrinë ukrainase.

Lajme të ngjashme