E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Drejtoresha e RTS dorëzon dorëheqjen

Manja Grçiç dorëzoi dorëheqjen nga pozita e drejtoreshës së përgjithshme të Radio-televizionit të Serbisë (RTS), transmeton "Telegraf".

Ajo dorëzoi dorëheqjen sot rreth orës 17:30, pas shqyrtimit të rrethanave aktuale në të cilat funksionon shërbimi publik. Ajo përfundoi se sigurimi i vazhdimësisë së pandërprerë të punës është prioriteti më i rëndësishëm për këtë institucion.

Në dorëheqjen e saj, ajo theksoi se pret që Bordi Drejtues, brenda kompetencave të tij ligjore, të ndërmarrë në kohë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë në drejtim dhe të kryhet dorëzimi i detyrave në përputhje me ligjin.

Grçiç gjithashtu theksoi se do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme gjatë këtij procesi, me qëllim që dorëzimi të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pasoja negative për funksionimin e RTS.

Vendimi i saj vjen pas kërkesave për largimin e saj, të drejtuara nga disa punonjës të RTS, si dhe nga kandidatë nga një listë e udhëhequr nga studentët. Këto kërkesa përfshinin edhe shkarkimin e anëtarëve të tjerë të ekipit drejtues, si dhe të redaktorit të sektorit të lajmeve dhe ngjarjeve aktuale.

Gjatë viteve të fundit, studentët paralajmëruan se shërbimi publik nuk raporton në mënyrë objektive dhe të paanshme, por favorizon pushtetin e Aleksandar Vuçiçit. Ata akuzuan RTS-në se minimizon rëndësinë e protestave studentore, hesht informacionet e rëndësishme dhe nuk lë hapësirë të mjaftueshme për kritikët e qeverisë.

Grçiç u emërua drejtoreshë e përgjithshme e Radio-televizionit të Serbisë (RTS) më 11 shkurt të këtij viti, me vendim të Bordit Drejtues të RTS, me mandat pesëvjeçar. Ajo mori detyrën më 25 shkurt 2026 dhe u bë gruaja e parë që u vendos në krye të shërbimit publik.

Para se të vinte në krye të RTS, gjatë karrierës së saj, Grçiç ka punuar në BBC, B92, TV Pink dhe TV3 Slloveni. Ajo gjithashtu ka qenë drejtoreshë e kompanisë "Media System", drejtoreshë e përgjithshme e "Tanjug" dhe ka drejtuar operacionet e "Antenna Group" në Serbi dhe Mal të Zi, në përbërje të së cilës janë televizionet "Prva" dhe "O2 TV".

Grçiç ka diplomuar gazetari në Universitetin e Leeds, në Mbretërinë e Bashkuar. Në biografinë që bashkoi me aplikimin për pozicionin e drejtoreshës së RTS, ajo deklaroi se ka më shumë se 20 vjet përvojë në industrinë mediatike, transmeton "Euronews Serbia".

Lajme të ngjashme