Rusia e gatshme t’u dorëzojë SHBA-ve sasi të pakufizuara nafte dizel, tre tankerë tashmë janë në rrugë

Rusia është e gatshme t’u dorëzojë Shteteve të Bashkuara të Amerikës aq naftë dizel sa të kërkojnë, brenda kuotave të destinuara për eksport, deklaroi zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak për televizionin shtetëror "Vesti".
"Sa të duan partnerët tanë nga sasia totale që do të eksportojmë, mund t’ua dorëzojmë", tha Novak, duke konfirmuar se tre tankerë me naftë dizel ruse tashmë janë nisur drejt Amerikës së Veriut.
Tankeri i parë, me kapacitet prej 40,000 tonësh, u nis më parë këtë javë nga porti baltik Primorsk, dhe pritet të mbërrijë në portin e Nju Jorkut në fillim të nëntorit. Kjo është dërgesa e parë direkte e derivatit rus të naftës në SHBA pas vendosjes së sanksioneve dhe ndalimit të importit në vitin 2022.
Marrëveshje midis Trump dhe Putin
Dërgesa u mundësua me një marrëveshje të re tregtare midis administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. SHBA-ja miratoi një përjashtim gjashtëmujor nga sanksionet për importin e naftës dizel ruse, për të mundësuar realizimin e marrëveshjes.
Kjo vendim vjen në një kohë rritjeje të çmimeve të karburanteve në tregun amerikan, të shkaktuara nga ndërprerjet në furnizimin global dhe eskalimi i konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, analistët vlerësojnë se marrëveshja me shumë gjasa nuk do të ulë ndjeshëm çmimet në pikat e karburantit në SHBA, dhe disa e interpretojnë atë edhe si një lëvizje politike të Trump para zgjedhjeve për Kongresin më 3 nëntor.
Si pjesë e marrëveshjes, Rusia ka hequr kufizimet e përkohshme për eksportin e naftës dizel, të vendosura më parë për mbrojtjen e tregut të brendshëm.
Sipas Novak, vetëm njoftimi për marrëveshjen ka kontribuar në rënien e çmimeve globale të naftës me pesë deri në gjashtë për qind. Rusia planifikon që deri në fund të vitit të eksportojë mes tre dhe 3.5 milionë tonë naftë dizel në muaj në tregun botëror, ku një pjesë e sasive mund të drejtohet drejt SHBA-së, në varësi të kërkesës.
Edhe pse dërgesa e parë prej 40,000 tonësh përbën një pjesë të vogël të konsumit total amerikan, marrëveshja interpretohet si një përpjekje për stabilizimin e tregut energjetik dhe si një precedent i rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare midis Uashingtonit dhe Moskës.
Vendimi, njëkohësisht, ka hasur në kritika të ashpra nga Kievi, i cili paralajmëron se blerja e energjenteve ruse kontribuon në financimin e buxhetit ushtarak të Federatës Ruse.



