E diel, 25 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Tre persona të vrarë dhe tetë studentë të plagosur në sulmin izraelit ndaj universitetit në Gaza

Tre punonjës në Universitetin Islamik në Gaza u vranë, ndërsa tetë studentë u plagosën në një sulm ajror izraelit ndaj kampusit universitar, njoftuan burime lokale palestineze, transmeton AFP.

Sipas burimeve nga institucioni, sulmi me dron u krye ndaj universitetit në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Të vrarët ishin anëtarë të sigurimit, ndërsa studentët e plagosur ishin në kampus gjatë sulmit dhe po merrnin mësim. Disa prej tyre janë në gjendje kritike, njoftoi Ministria palestineze e Arsimit. Spitali "Al Shifa" konfirmoi se ka pranuar tre trupa dhe po trajton tetë të plagosur.

Ministria palestineze e Arsimit dënoi, siç tha, heshtjen e komunitetit ndërkombëtar për sulmet ndaj studentëve dhe universiteteve. Sipas ministrisë, gjatë gjashtë ditëve të fundit janë vrarë dhjetë studentë dhe mësues, ndërsa rreth 95 për qind e objekteve universitare janë dëmtuar në luftën trevjeçare midis Izraelit dhe Hamasit.

Përveç viktimave në universitet, edhe katër persona të tjerë u vranë në vende të tjera në Rripin e Gazës, njoftoi mbrojtja civile palestineze. Dy persona u vranë në një sulm ajror në Khan Yunis në jug, një në Deir al-Balah në pjesën qendrore të enklavës, dhe një i katërt u vra nga zjarri izraelit në veri.

Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, pas dy vjetësh lufte, e cila filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila është nën kontrollin e Hamasit, më shumë se 1,500 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit. Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të dhënat e ministrisë si të besueshme.

Lajme të ngjashme